
E para ishte fjala…
Ndal. Stop. Mos lëviz.
Kështu fillon një ndër videot më të shpërndara këto ditë. Po na kërkohet të ndalojmë hapin. Thjesht të qëndrojmë pa lëvizur.
I morëm të gjitha për të mirëqëna. Çdo gjë.
Edhe shëtitjen e pas punës. Edhe kafen e mëngjesit. Edhe përqafimet. Sidomos përqafimet.
Lamë nervat shpeshherë të na udhëheqin dhe njerëzit që donim nuk i takuam, për ti treguar që na kishin mërzitur.
Dikur, na thanë: “ E para ishte fjala.”
Sot është e vetmja.
Unë nuk jam njeri dramatik. Madje bëj pjesë tek ata që dinë shumë mirë ta ruajnë qetësinë. Jam mëse koshiente që kjo situatë do kalojë shpejt e do i rikthehemi sërish jetës “normale”.
Por, ne nuk do jemi më kurrë të njëjtët pas kësaj. Asnjëri prej nesh.
Ndoshta do marrim mësimet e duhura nga ky moment.
Ndoshta do mësojmë të kthejmë telefonin ndërsa pimë kafen e mëngjesit e të shijojmë.
Ndoshta do mësojmë të vrapojmë më pak drejt mbylljes, e të jetojmë më shumë ajrin e pastër.
Ndoshta do mësojmë ti ndjejmë përqafimet. Të jemi vërtet aty.
Ndoshta do mësojmë të kërcejmë vërtet edhe kur nuk kemi story për të postuar. U harruam aq shumë pas “regjistrimit” të kujtimeve, sa shpesh nuk kujtojmë ndjesitë e atyre 1001 fotove që kemi.
Ndoshta do mësojmë të shohim përtej. Mbetemi lehtësisht peng të vetes dhe harrojmë të pyesim të tjerët si janë. Harrojmë të interesohemi për ta.
Sot jemi të gjithë njëlloj. As toka e premtuar e SHBA, as Gjermania e shumë kërkuar, nuk i shpëtoi kësaj gjendje. Sot jemi mbyllur në shpresë që shumë shpejt do dalim.
Por nuk po dalin as makinat, dhe ajri është pastruar shumë. Tashmë, qielli natën ngjan aq bukur, aq plot. Sa dëm i paskemi bërë.
Ndoshta, e gjithë kjo ndodhi që ta njohim edhe ne çdo të thotë mungesë lirie. Ne e morëm lirinë për kaq të mirëqenë. Sikur askush s’mund të na e prekte e askush s’mund të na e vinte në rrezik.
Ndoshta do mësojmë ta vlerësojmë më shumë lirinë. Ndoshta do jemi më të vëmendshëm ndaj çdo kujt që na ofrohet me një përqafim gati, pa kërkuar asgjë mbrapsht. Ndoshta tashmë do jemi më të vëmendshëm ndaj luksit të të pasurit mundësinë për të dëgjuar e për tu dëgjuar.
Dikur, na thanë: “ E para ishte fjala.”
Sot është e vetmja.
E më në fund ndoshta do mësojmë të vlerësojmë ata që janë aty gjithmonë, e do mësojmë të mos vendosim shenja barazimi e krahasimi mes njerëzve. Çdokush hyn në jetën tonë, ka një mësim për të na dhënë, ka diçka për të na lënë.
Ndoshta do mësojmë të ngremë kokën nga qielli, si më të bukurën përshëndetje për të gjithë ata që kemi larg. Tani vërtet mund të dërgojmë puthje me hënën.
Ndoshta, tashmë, do jemi më të vëmendshëm ndaj fjalës, ndaj asaj që themi, e ndaj asaj që dëgjojmë.
Ndoshta, më në fund, do jemi më të vëmendshëm ndaj JETËS.
©AZ
“The carousel never stops turning.”
21/03/2020