
Do të jemi të lumtur ne!
Mban mend kur të thoja që do ishe shumë i lumtur po të martoheshe me mua?
…
Ti vjen nga puna, dhe unë kam pak që kam dalë nga dushi. Gjithmonë vij para teje.
– Si shkoi dita zemër?
– Nuk e mbaj mend. Tani jam shumë mirë.
Unë qesh, ndërkohë që drejtohesh për në dhomë të ndrrohesh.
– Të hahet? Të shtroj dhe për ty në tavolinë?
– Jo, por do pi një gotë verë me ty.
– Kë të nxjerr?
– Lere, e rregulloj unë.
Vjen në kuzhinë, merr një nga shishet që ke sjellë në shtepi prej kohësh tashmë. E hap, nxjerr gotat për të dy në tavolinë, e ulesh e më pret. Mbaroj sallatën e ulem ngjitur me ty.
Trokasim gotat, me shikon sikur gjithë bota të fillon e të mbaron tek unë. Buzëqesh. Ke diçka, e di. Por s’po të pyes, e shoh që nuk ke dëshirë të flasësh.
Flasim mbi çdo gjë të mundshme, ndërkohë që unë kam mbaruar darkën, e shoh që sikur të iku ajo pesha që të rëndonte mbi shpatulla. Të kthehet buzëqeshja që njoh unë.
Ti shtrihesh para meje. Është e enjte. Kam filmin.
Përpara se të fle të puth lehtazi, dhe të pëshpëris: “Do jemi shumë të lumtur ne.”
…
Ndjej një zë që më thërret.
– Mban mend çfarë më the mbrëmë?
– Jam akoma në gjumë. As emrin tim nuk mbaj mend.
– Do jemi shumë të lumtur ne.
Qesh. Dhe unë qe e dija në gjumë.
– Kështu që hajde tani, zgjohu se kemi një jetë kaq të bukur që pret ta jetojmë ne.
Bërtet nëpër shtëpi, ndërkohë që bëhesh gati.
…
Ç’më thua tani?
Teksa vrapon në park pas vajzës, dhe djali në heshtje luan me makinat e tij në tavolinë?
Kisha të drejtë apo jo?
Që në përqafimin e parë e dija, që po firmosnim për diçka shumë më të bukur se sa ishim përgatitur.
…
– Ikim?
Më puth në ballë dhe dorën e pushon në barkun tim.
-Po e llaston shumë pa dalë akoma, – të them duke qeshur.
-I kemi ndarë punët. Unë llastoj gocat dhe edukoj çunat, ti të kundërtën, – më thua dhe rinis të vraposh pas vajzës që nuk është lodhur akoma nga loja.
E çuditshme. Askush s’na përgatit për lumturi të këtij lloji, ndoshta dhe prandaj na shijon shumë, e po aq shumë e kemi frikë.
©AZ