
Do të gjehemi sërish.
Të kujtova sot. Më erdhe ndërmend teksa kthehesha në shtëpi nga puna. I ke parasysh ata xhaxhat tek pallati në cep që luanin domino në çdo kohë ? Ti talleshe atëherë, edhe thoje që me siguri do kenë qënë partizanë që nuk i tremb as bora e as shiu për të përfunduar ‘betejën’. Më kujtohet sa shumë dëgjohej në heshtjen e ditëve me shi, tingulli i të qeshurës sime.
Ishin sërish sonte aty. Megjithëse po bie shi, e ftohtë është goxha, luanin e diskutonin. Ndoshta I mbante ngrohtë loja, diskutimi, të qënit të dy përfshirë vërtetë.
Ndoshta këtu deshtuam ne apo jo…
Ndoshta ne e lamë betejën sa nisi I ftohti.
Mendon që duhet të kishim luftuar më tepër ? Mendon që duhet të ishim përpjekur pak më shumë ?
Sapo mbërrita në shtëpi vajta me vrap tek komodina dhe kërkova atë foton që dikur kisha mbajtur mbi tavolinë, në atë kornizën me ngjyrë qielli, që ti ma kishe bërë dhuratë me leterzën: “Që të kesh gjithmonë afër pak nga qielli jot.”
Më kujtohet si tani, që unë e kisha direkt të qartë se me çfarë foto do mbushja unë ‘qiellin’ e dhuruar nga ty.
Atë foto, që sot diku e kam “zhytur”; për t’ja fshehur syve duke shpresuar që kështu do e harrojë edhe zemra.
Jemi në plazh. Ka rënë nata. Vendosim të kercejmë buzë detit të gjithë. Pak nga dielli, pak nga deti, pak si shumë nga vera, të gjithë vetëm qeshim. Ndërsa jemi rrethuar nga njerëz ti afrohesh, më përqafon, më puth në ballë e pastaj diçka më thua në vesh. Unë shperthej në të qeshura, e pikërisht aty, atë moment që unë qesh dhe ti thjesht buzëqesh e kemi të përjetësuar në fotografi.
Në nerva dua ta gris, në mërzi dua thjesht ta hedh, në dhimbje dua ta zhduk si moment, po pothuajse në çdo moment zgjuar dua mbi të gjitha të kuptoj. Çfarë ndodhi vërtet ? Kur u shndrruam në këta të sotmit, ne të fotografisë ? E mbi të gjitha dua të di, çfarë na ka mbetur ne, mua e ty, nga ata të fotografisë ?
Si thua, do ma thuash atë që ke kohë që e shtyn ? A do arrish më në fund që duke më parë në sy të më flasësh ? Të më thuash që të ka marrë malli ? Të më tregosh se si ke pritur që unë do e kërkoja përqafimin tënd njëlloj siç ty ta ka kërkuar shpirti, timin ?
Unë të kam humbur ty. Kam humbur çdo kujtim të krijuar me ty. Nuk kam më asgjë tek e cila mund të kapem për të të kujtuar siç të njoh. Asgjë që të më rikujtojë që unë ti njoh sytë e perlotur nga një film i bukur, apo emocionin e një mesazhi të ndjerë nga njeriu që ke rritur e që bashkë me ty është rritur.
E di. Të mungoj në përditshmëri. Por ajo që nuk dija është që po më mungon edhe mua vetja. Ajo që nuk dija ishte që kur të ikja nga ty do kisha ikur edhe nga vetja. Ajo që nuk dija ishte që bashkë me arratisjen nga ty dhe çdo ndjenjë që provokonte ekzistenca jote unë do humbja më të shtrenjtin zotërim, fjalën.
Unë kam humbur kujtimet me ty ama tashmë të njoh. Tashmë e di që në një cep në botë, jo shumë larg nga cepi im, je ti. Si rresht së të dashuri ? Si të të zbres nga ku të kam, kur nuk je më thjesht një mendim e fantazi, kur je real e i prekshëm?! Si të të nxjerr nga ku të kam strukur, kur shpirt e zemër hidhen pupthi sapo ndeshen me tëndin shikim ?!
Sa do doja të të kisha dëgjuar duke më thënë:
“Më vjen keq, unë nuk të dua më ty.” Sa do doja të të shihja të lumtur tani, si kurrë më parë. Do e kisha shumë më të thjeshtë të të lija pas e të vazhdoja. Po ma bën shumë të vështirë ti, dhe paaftesia jote për të bërë veten tënde të lumtur. Do të shqetësohem ndoshta gjithmonë se si je, sepse ti më njihje. Ti që më thoje aq shpesh: “Ty të rri bota e vogël.”
Ndoshta veç për kaq hyre ti në jetën time. Për të më mësuar me fjalë çfarë zemra ma thoshte me rrahje.
Shpesh më duket pak. Por ndonjëherë nuk ka nevojë të ketë një histori. Ndonjëherë mjafton të thuash: “Ishte dashuri. Aq.”
Mos u shqetëso. Do të gjehemi sërish ! Kur ti të dëgjosh shpirtin, e unë, ta lë të të flasë, zemrën.
© AZ