
Do kërcejmë?
Kam gjithë ditën që them lart e poshtë që jam shumë emocionale sot, e kur i mbylla të gjitha, erdha tek ty. Tek biseda me ty, tek emocioni me emrin tënd, tek dera që hap ti.
Të shoh dhe lëshohem në përqafimin tënd, pa e ditur as çfarë kërkoj nga ty, as pse jam tek ty. Ama ajo e qeshura jote e lehtë, kur unë lëshohem si pas lufte, dhe ajo ndjesia që ti po më mban të mos bie, më jep të paktën një përgjigje.
Kam ardhur tek ty që të kem ku të mbahem. Kam ardhur tek ty, se sot nuk mbaj dot, e kam nevojë të mbahem unë diku.
Hyj në heshtje brenda. Heq me përtesë pallton.
– E di, nuk është ende mjaftueshëm ftohtë për kaq trashë sa jam veshur. – flas përtueshëm.
– Nuk thashë asgjë, – më thua, teksa më shkel syrin.
Ndjej aromën e mirë e gatimit në shtëpi.
– Çfarë po gatuan?
– Po bëj pak mish. Tani do i vë dhe patatet e tua.
– Po ti paske shtruar për dy. Mos prisha ndonjë plan?
Ngrihem menjëherë në këmbë dhe marr pallton në duar. Ti, i qetë, si gjithmonë, që buzëqesh lehtë dhe afrohesh drejt meje. Më heq pallton nga dora dhe më zgjat telekomandën.
– Na gjej ndonjë film të bukur, ose na vër ndonjë muzikë.
Ndihem rehat. Ndihem në shtëpi. Edhe teksa jam ende duke kuptuar me veten time ndjesitë, kthej sytë nga ty, dhe të gjej të qeshur me shikimin tek unë. Buzëqesh dhe unë, e ndjej se si gjithë ngarkesa e ditës sime të lodhshme është shkarkuar në krahët e buzët e tua, e ma ke marrë të gjithën ti, pa u munduar fare unë.
Ashtu mendje-zbrazur tashmë, i kthehem televizorit në të cilin kam hapur YouTube. Dua të dëgjoj muzikë. Mundësisht nga ato këngë që të bëjnë të kërcesh, se kam kohë që kam harruar të shijoj një kërcim.
Më në fund arrij të gjej një këngë që të ma mbush mendjen për ta vendosur.
Afrohem dhe zgjas kokën mbi sobë. Dua të kuptoj ç’po gatuan që e bën këtë apartament të ndihet kaq “shtëpi”.
Ashtu pa e menduar as vetë, të zgjas dorën dhe gati pëshpëris:
– Do kërcejmë?
Pikërisht kur mendoj që duhet të të lutem në fakt, ti më tërheq nga dora dhe më rrotullon rreth vetes. Kërcejmë pak e qeshim shumë, derisa aroma të detyron ti kthehesh kuzhinës.
Më kishte munguar një kërcim nga këta të lehtët; që marrin pak energji fizike, e shumë energji shpirtërore.
Unë shëtis në bibliotekën tënde, e ndërroj muzikën, e kundroj dritat e qytetit, derisa dëgjoj emrin tim nga zëri yt, që më fton në darkën tonë.
Çdo gjë mbi tavolinë. Sigurisht një shishe verë edhe dy gota të mbushura. Poshtë gotës sime, një pusullë:
“Të prisja ty.”
E më vjen veç të të them, prej sa kohësh të pres unë ty, edhe ndjesinë shtëpi që më jep ti.
Por nuk flas. Thjesht qesh. Edhe afrohem të të përqafoj.
Më shtrëngon e më mban. Si në më të bukurin kërcim, ku në krahët e tu, gjej ritmin tim.
© AZ
3/11/2020