
Dashurinë nuk e gjen gjithnjë në shtëpi.
Dashurinë nuk e njoha në shtëpi.
Dashurinë nuk e njoha tek mami, në të qarën e parë. Kur sapo kisha ardhur në këtë dimension e prisja që ajo të qajë njësoj si unë, por nga gëzimi; e kështu të më mësonte që thjesht të merrja frymë do mjaftonte, se dashuria nuk ka nevojë për kushte.
Dashurinë nuk e njoha në shtëpi.
Dashurinë nuk e njoha tek babi, kur e prisja që pasi u rrëzova për herë të parë, të vinte e të më puthte gjunjët, e kështu të më mësonte që dashuria shëron.
Dashurinë nuk e njoha në shtëpi.
Dashurinë nuk e njoha tek vëllai i madh, kur e prisja që pasi unë rrëzova vazon, të shkonte e të më mbështeste tek mami; e kështu të më mësonte që dashuria mbron.
Dashurinë nuk e njoha në shtëpi.
Dashurinë nuk e njoha tek motra e vogël, kur prisja që kur unë të diplomohesha, të ishte aty, në rresht të parë; e kështu të më mësonte që dashuria është prezencë.
Dashurinë nuk e njoha në shtëpi.
Dashurinë nuk e gjen gjithnjë në shtëpi.
**
Një vajzë, në klasë, kur më pa duke lotuar pas një argumenti me mësuesen, u afrua e më dha një shami e një shishe ujë: “Mos u mërzit. Ajo do e ketë harruar deri nesër.”
Më pas filloi të ulej me mua në bankë, e sa herë dikush më ngrinte zërin, ajo më shtrëngonte dorën, sikur ta dinte që unë ngrija nëse dikush bërtiste.
Për ditëlindjen time, ajo mblodhi klasën e të gjithë bashkë më kishin bërë një bllok me urime e kujtime. Ata më duartrokitën kur në koncertin e fundit të maturës unë recitova një poezi, e brohoritën për mua si të ishte konkurs.
Mendoj që ajo ishte dashuria, edhe pse të gjithë thonë që e gjen në shtëpi, unë e gjeta në klasë, tek disa të panjohur që më mësuan se familjet nuk krijohen gjjthnjë nga gjaku.
**
E kujtoj mirë herën e parë që kuptova që kisha rënë në dashuri me të. Ishim zënë një ditë përpara intervistës sime të rëndësishme. Megjithatë, atë ditë në mëngjes më priste poshtë shtëpisë, me kafe, briosh dhe një libër.
“E di që nuk ha mëngjes, e di që nuk zgjohesh dot pa kafe dhe e di sa të pëlqen ta nisësh ditën me një histori dashurie. Më merr kur të mbarosh.” – më tha e mi la në dorë, më puthi lehtë e u largua. Unë qesha.
Mendoj që ajo ishte dashuria, edhe pse të gjithë thonë që e gjen në shtëpi, unë e gjeta në sytë e një të panjohuri, që më mësoi se dashuria është gjithnjë prezente edhe kur mërzitet, pavarësisht hatërmbetjeve.
Sot, prej të panjohurve, kam njohur dashurinë, kam gjetur dashurinë. Sot, prej të panjohurve, kam mësuar të jap dashuri, e njerëzit që unë dua nuk e vënë kurrë në dyshim ekzistencën e saj.
Sot, di që dashuria fal, shumë. Sot, di që dashuria mbron. Sot, di që dashuria nuk mund të jetë kurrsesi pengesë, por është gjjthnjë aset. Sot, prej të panjohurve e me të panjohurit, kam mësuar që dashuria nuk shkatërron, ndërton.
Dashurinë nuk e njoha në shtëpi, e për shkak të kësaj, për një kohë të gjatë nuk e njihja as nëse më vinte me pankarta, por gjithsesi ajo më gjeti, a unë e gjeta;
e mbi të, e bashkë me të, ndërtova.
Dashurinë nuk e njoha në të qarën e parë.
Por, ndërtova një jetë që dashuria të më shoqërojë deri në të qeshurën e fundit.
Dashurinë nuk e njoha në shtëpi.
Por, ndërtova një shtëpi që dashuria do e gjente gjithnji.
© AZ