
Dashuri pa amendime.
Ti që më deshe pa amendime.
Të gjjthë të tjerët diç kanë dashur të ndryshojnë tek unë.
Kam ulur zërin kur para meje më rrudheshin vetulla se zëri im ju peshonte.
Kam qeshur më pak, kur të tjerët mendonin që nuk duhej të bëja të ditur gëzimin tim.
Kam zbutur reagime që kë kisha përballë të mos e trembja.
Unë përbëhem nga fjalë, por mbi të gjitha nga heshtje që më bëjnë zhurmë brenda. Ndaj, e kam të vështirë të jem e kuptueshme. Të paktën deri sa erdhe ti.
Ti, që nuk kërkon as të të flas, e as të të shpjegohem. Më merr si më gjen.
Unë përbëhem nga shumë fjalë. Por, mbi të gjitha, nga heshtje. Mbaj brenda fjalët që nuk e di si do vijnë tek ty. Nuk e kam parë kurrë si kompliment: “Se unë nuk mendohem kur flas me ty.”
Për mua dashuria është çdo mendim që kaloj filtër pas filtri që mos të të lëndoj, mos të të prek në dhimbje. Dashuria është çdo fjalë që ka kaluar shekuj duke u përmirësuar që të na arrijë sot si e kuptuar.
Ndoshta, ndaj i kam ndenjur larg dashurisë për gjatë, se gjithmonë më vinte me një tufë kërkesash për të zvogëluar veten. Jam ndjerë shpesh që sa më shumë më njihnin, aq më shumë donin të shtonin kushte në kontratë, e përfundonte me amendime të panumërta. Më kanë mësuar kështu që të më duash është e vështirë dhe e komplikuar.
“Je e komplikuar në çdo gjë, përveçse në dashuri; je njeriu më i thjeshtë në botë për t’u dashur.” – më thua teksa zgjat dorën për të marrë timen.
Ti e di që unë e shoh dhe besoj dashurinë si të plotëfuqishme, por ajo jo gjjthmonë mund ta rishkruajë natyrën. Ndaj dhe kushtet e shumta mbi tavolina nuk i kam dashur, se më duket sikur ja zbehin rëndësinë.
Ti s’më kërkove asnjëherë të vendosnim në një dryn inicialet tona. Ti e di, unë mbi gjithçka në këtë jetë, zgjedh lirinë, e për pasojë të kyçurit diku diçka nuk do më qëndronte kurrë drejtë; sidomos dashurinë tonë.
A e di që sa më shumë e ndjej lirinë, aq më shumë e dua dorën tënde shtrënguar. Sa më shumë gëzoj, aq më shumë kthej kokën të të gjej aty.
Ti, mburoja ime humane. Nuk më duhet kurrë të të kërkoj, kur ndonjëherë ndjej nevojën që të shplodhem nga luftërat që më duhet të drejtoj, se do të të gjej gjithnjë duke më ruajtur krahët, e duke ma mbajtur botën larg, për aq sa dua, deri kur dua.
Ti nuk deshe kurrë të ndryshosh asgjë që jam, e më deshe me gjithçka e pavarësisht gjithçkaje kam.
© AZ
19-05-2025