
Atje ku ka dritë !
Ulur në atë cepin e shtëpisë që e ka ende dritën ndezur, shfletoj librin deri sa e mbyll pasi kuptoj që në të vërtetë nuk po e lexoj. Pjesa tjetër e apartamentit është zhytur në errësirën e pas-perëndimit. Hutohem pas hijes që le pas drita. Më ngjan me një zog me flatra hapur, gati për fluturim. Por, as zogu krahëhapur i dritës nuk mund të bëjë shumë , ashtu si as libri, dhe mbetem sërish me sytë tek telefoni.
Kisha orë që shihja telefonin, duke pritur që ai do të binte. Kalova në të gjitha fazat; që nga ‘As mos e prit’ deri në ‘Po ndoshta do të të marri.’
E sa më shumë e shihja telefonin aq më shumë bindesha që nuk do më merrje, e aq më shumë shpresoja që do e bëje. Unë nuk e kam ditur asnjëherë çfarë të pres nga ty, ke qënë gjithnjë një kuti surprize për mua. Nuk jam ndonjë fanse e madhe e surprizave, e aq më pak kur frika se në fakt nuk duhet të prisja asgjë, zinte vend bindshëm.
“Historitë si e jona nuk kanë fund të lumtur. Nuk ishte e thënë për asgjë ajo që më merrte frymën mua, e shikimin ty.”
I thashë me vete këto dy fjali, dhe u ngrita të mbushja gotën e verës. Më dukej ilaçi më i besueshëm për atë dhimbjen therëse në kraharor. Nuk doja as të hapja televizorin, nuk mund të lexoja librin, nuk mund të shkruaja, e mbi të gjitha nuk arrija të flisja.
Vendos të dal nga shtëpia. Asgjë nuk po arrin të ma lehtësojë morinë e ndjenjave që kanë ngritur kokë aty mes kraharori. Shëtitjet gjithmonë ndihmojnë, plus sikur të qënit jashtë të ‘detyron’ ta mbash veten fort edhe kur ke dëshirë të palosesh e zvarritesh. Vendos të dal të kërkoj një dritë, të gjej diçka të më ndihmojë të hap flatrat si shpendi krijuar në murin e shtëpisë time.
Ende pa dalë në rrugë kryesore dalloj makinën tënde. Ndaluar, motorrin fikur, dritën përpara ndezur e diç kërkon në kroskot. Afrohem, të trokas lehtas në xham, hap derën dhe ulem në krahun tënd. Shkëmbejmë shikimet për pak sekonda dhe unë të shoh dritën në sy dhe ndjej të ndrisin në sinkron sytë e mij.
– Çfarë po bën këtu ?
– Nuk e di as unë.
– Do të vish sipër ?
– Po ti po shkoje diku ?
– Më duhej diçka, por e gjeta më shpejt seç mendoja.
Dalim të dy nga makina. Unë eci para. Ti shpejton hapin dhe më kap nga dora. Nuk kthej kokën të të shoh, por më duhet ti rikujtoj vetes të marrë frymë, dhe e bëj këtë duke të shtrënguar dorën edhe më fort, sepse je.
Ndoshta një ditë do të të tregoj sa herë më ke thyer zemrën ti, sa herë, me siguri pa dashur, më ke bërë të dua të zhduk ekzistencën tënde tek unë, me një shkop magjik.
Ndoshta një ditë, por jo sot. Sot dua të të shtrëngoj në përqafim e të shijoj se si shkojnë në vendin e tyre të gjithë copëzat e mia të thyera në momentin e parë që ti vendos dorën tek shpatullat e mia. Sot dua të ndjej si rregullohet frymëmarrja jote e shpeshtë kur unë pushoj ballin mbi buzët e tua. Sepse pavarësisht rraskapitjes time nga gjithçka dhe luftës tënde me shumëçka, edhe në më të errëtat ditë prapë sollëm tek njëri-tjetri dritë !
© AZ