
Asaj që nuk do të jem më.
Duke rrëmuar nëpër sirtar në kërkim të një prej dokumenteve që nuk mësova kurrë ti ve ne vend, gjeta qindra fjali të hedhura në moment, shkrime të papërfunduara, ndjesi të hedhura pa filtër e pa zbukurime. Gjeta një vete të tërë, tashmë të harruar edhe nga unë, në ato copëza shpirti hedhur shkujdesur. Një vete që më paska marrë malli.
Më ka marrë malli për një vete, që e di, që nuk do të mund të jem më kurrë.
Më ka marrë malli për veten në ditët me gjunjët gjak e zemrën plot.
Më ka marrë malli për atë vajzën që shkonte vrik shkallëve të shkollës ndërkohë që dëgjonte zërin e drejtoreshës mbrapa, që bërtiste: ‘Mos vraponi nëpër shkallë, njëqind herë ju kam thënë!’
Apo kur e shihte pa jakën e bardhë mbi përparësen e zezë e plot ironi të hollë, duke u kujdesur të mos lëndonte: ‘Hë kinge të prishte bukurinë e? Duhet hapur përparsja, si bobet, posí!’
Atë drejtoreshën e 8-vjeçares që ende sot e përqafoj fort kur e shoh në rrugë.
Më ka marrë malli edhe për atë vajzën që i dilte zot problemeve që nuk ishin të vetat, para zyshës kujdestare (me gjithë respektin që kishim për të,’ mësuese’ nuk mësuam ti thërrasim). Ajo që mbronte ata që quante njerëzit e saj, ajo që kishte kuriozitet të pambarimtë, ajo që qeshte aq shumë sa i dhimbnin brinjët, ajo që ëndërronte syhapur e symbyllur, ajo që kur të rritej donte vetëm që të kishte aq lekë sa të blinte tek ‘Kolonat’ sa herë të donte (Sot që mundet, a është e lumtur vallë?! ), ajo që nuk linte dy gurë bashkë e që rrëmujën e kishte emër të dytë, ajo që e vetmja gjë që rregullonte me qejf ishte dollapi i vogël në cep të dhomës, që kishte dy kate me libra.
Më mungon sot, ajo vajza që falte. Ajo që besonte jo veç në shanset e dyta, ajo që besonte në shanset e njëmijta.
Më ka marrë malli për atë vajzën që e hidhte kaq shkujdesur shpirtin, POR, jam e lumtur që sot kam mësuar të kujdesem pak më shumë se si dhe ku e ‘hedh’ shpirtin (shpeshherë kujdesem tepër madje…) .
Nuk jam më asnjë nga vajzat më sipër. Ato pak nga pak u transformuan në këtë që jam sot. Ndoshta ish’ më mirë ashtu, ose jam më mirë kështu, këtë, nuk e di!
Më ka marrë malli edhe për kafen ku kam kaluar orë të tëra; Sot, aq shumë orë, as gjumë nuk i bëj. Më ka marrë malli edhe për ato bisedat pa sens, që nuk të lodhnin e shpesh askund nuk të çonin, por duheshin shumë gjithsesi. Sot, bisedat e dashura i kam të tjetër lloji, marrin shumë më shumë energji nga unë.
Më ka marrë malli për një ‘ajo’ që nuk do jetë më kurrë ‘unë’, ama, sa mirë!
Sa mirë që nuk do mund të jem më ajo. Sa mirë sepse ajo që dikur vraponte nëpër shkallë, sot i vrapojnë mendimet e qëllimet. Sa mirë sepse ajo që dikur falte shumë, sot ka një rreth më të ngushtë po më të vërtetë. Sa mirë sepse ajo që dikur nuk ngopej duke rregulluar librat në dollapin e vogël, sot ka një dhomë të tërë bibliotekë, edhe me një libër që mban inicialet e saj në kopertinë. Sa mirë sepse ajo ka mësuar, është rritur, ka njohur brendësinë e vetes, ka mësuar të komunikojë me shpirtin e saj, sot, ‘ajo’ është ‘unë’.
Unë kam ende shumë për të mësuar, unë kam ende shumë për të kuptuar, unë kam ende shumë për të vrapuar, unë kam ende shumë për të ëndërruar, unë kam ende shumë për të ndjerë, unë kam ende shumë për të jetuar!!
Asnjërën nga këto nuk mund ti bëj me asnjë nga ato ‘ajo’. Mund ti bëj veç me këtë ‘unë’.
Mund të kaloj orë duke ju drejtuar ‘Asaj’, vetes në të shkuarën, por nuk kam pse, më. Ka bërë çka mundur, e ka mësuar çka arritur, ndaj me sy mbyllur e përqafova, dhe e lashë ku ishte.
Mbylla sirtarin, duke i vendosur me kujdes të gjitha ato copëza letre që mbanin një ‘ajo’ që dikur e thërrisja ‘unë’, ato copëza shpirt i vendosa diku që ti mbaja mend, sepse tani Unë, di të kujdesem për copëzat e shpirtit, kam mësuar.
Pasi gjeta atë të famshëm dokument, u ngrita e buzëqeshur duke i premtuar vetes që një ditë do i rregulloja të gjithë dokumentet që ti kisha të gjitha në një vend (…kjo me shumë gjasa nuk do bëhej kurrë, rrëmuja hynte tek ato pak ‘ajo’ që do ishin gjithmonë tek ‘unë’).
© AZ