
“A bën me dasht’ pak?!”
Sa pak po duam. Sa shumë po gjykojmë. Sa dhimbje po ndjejmë e po shkaktojmë.
Si i bëhet për ti ndryshuar rregullat e kësaj lojës që e kemi quajtur jetë ?! Si i bëhet ta ulim urrejtjen, e ta ngremë dashurinë, ashtu si temperaturat e kondicionerit ?
Dashuria është arsyeja, është motivi, është shërimi. Ajo është e vetmja gjë që na ka mbetur nga përrallat, e vetmja gjë që dimë të sigurt nga magjia. Për dashurinë i bëjmë të gjitha, që ta ndjejmë, që ta pranojmë, që të mësojmë ta marrim e të dimë ta japim. E nëse nuk po duam sadopak, për çfarë po e bëjmë gjjthe këtë ? Përse po vrapojmë, përse po luftojmë ?
Nuk na e mëson kush dashurinë me fjalë, zakonisht e bëjnë me vepra. Andaj kur nuk na duan mirë, mësojmë edhe ne të duam gabim. Sepse mësojmë të duam veten keq, e nga ajo dashuri nisin të gjitha. Atë kemi etalon matës. Kur duam veten keq, kur nuk arrijmë ti japim vetes vëmendjen e dashurinë që ka nevojë, bëhemi të hidhur, qeshim më pak, ankohemi më shumë, gëzojmë shumë rrallë, nuk kënaqemi pothuaj kurrë, sepse atë boshllëkun e përqafimit nga vetja për veten, nuk e mbush dot asgjë e jashtme.
Kështu duhet nisur; me një buzëqeshje më shumë në pasqyrë, me një 10 minutsh në vendin e preferuar me veten, me një të rrahur shpatullash për arritje të vogla që ndihen të mëdha. Ta nisim kështu, duke blerë një luledielli për veten sa për ti shijuar kokëlartësinë e tërheqjen nga drita. Ta nisim duke shijuar një gotë verë me sy nga qielli. Ta nisim duke kthyer sytë nga vetja.
” A bën me dasht’ pak ?!” – do thuhej gegnisht, e shpesh gegnishtja e gjen shumë më shpejt rrugën drejt e tek shpirti.
A bën me dasht’ pak ?
Me dasht’ siç do hëna e dielli, plot dritë e ngrohtësi.
Me dasht’ siç duan fëmijët me shumë përqafime e aspak pritshmëri.
Me dasht’ siç do natyra, me pranueshmëri e pa numëru gabime ?
A bën me dasht’ pak ?
Pak, sa për të kujtuar dritën.
Pak, sa për të përzënë errësirën.
Pak, sa për të kuptuar që frymë, ja vlen me marr, e arsye ka plot.
E para është vetja !
© AZ