
Mirë se vini në Shqipëri!
Mirë se vini në Shqipëri!
Mirë se vini në shtetin e vogël në juglindje të Europës. Perla e fshehur e Ballkanit e quajnë të huajt.
Plehra e madhe e gadishullit e quajnë vendasit.
Në Shqipëri ka gra të forta e të bukura dhe burra shtatlartë e të guximshëm na referohen miqtë. Popull legen dhe pa dinjitet I themi njeri tjetrit.
Njerëz bujare dhe mikpritësa na përshkruajnë nëpër portale e revista të jashtme. Hajna themi për veten.
Me një det si ishujt oqeanik, shkruajnë për ne. Si lumë i qelbur lagjeje përshkruajmë ne.
Ah, po nëse pyet një shqiptar për Italinë, Francën, Gjermanine? Lëre pastaj per Amerikën e Kanadane. Madje edhe për Greqinë e Serbinë. Ku janë epitetet më të bukur dhe ta përshkruajne krejt fantazi.
Është një shprehje afrikane që thotë: Kij shumë kujdes nga një njeri lakuriq që të ofron diçka për të veshur…
Ky vend i përket atyre që e deshën kur nuk kish asgjë për t’ju dhënë. I përket atyre njerëzve që gjithë potencialin e tyre shpirtëror e human ja dedikuan rritjes personale, duke mos mohuar për as edhe një sekond nga vinin.
I përket atyre që pavarësisht çdo rrugë e udhëtimi, shtëpi kishin dhe kanë Shqipërine.
I përket atyre që e deshën duke e kritikuar por jo përulur!
Fishta ka thënë: Shqipnia u ba, tash ka mbet për tu ba shqiptarët!
Vendi im i vogël në juglindje të Ballkanit, perla ime e bukur, ka akoma njerëz që emrin tënd e kanë nder e jo qeder, ka akoma njerëz që të duan e ti njohin vlerat.
Ka disa njerëz që kur mbyten e zhyten ja vene fajin Shqipërisë. Këtë tokë që unë e dua me shpirt do e mbroj e do e lartësoj ashtu siç i ka hije që në emer e flamur. Të tjerët? Ata që nuk gjejnë asgjë që vlen këtu, janë të lirë të ikin. Po kush nuk është i zoti te triumfojë këtu, nuk do behet papritur i zgjuar, i aftë dhe i talentuar diku tjetër!
KY vend ka kaluar aq shumë e ky popull ka kaluar aq vuajtje sa është e tepërt që të durojë edhe mllefin e qytetarëve të hidhur e dembel të tij.
Po bëhet e do të bëhet Shqipëria! Se ka akoma njerëz që e duan!
Për ta!
Për Shqipërinë! Për rininë e Shqipërisë! Për të ardhmen!
Për ata që besojnë duke punuar dhe nuk helmojnë me fjalë duke qëndruar në vend numëro.
©AZ