
“Jam në anën tënde.”
Ne bëjmë zgjedhje çdo ditë.
Që nga bar-i që do pijmë kafen e mëngjesit, tek pizhamet që do veshim për të fjetur.
Jemi fryt i vetë zgjedhjeve tona. Shumë të rralla janë momentet që nuk kemi një zgjedhje.
Kur kemi mundësinë e të shijuarit të diellit dhe energjisë së tij, e preferojmë të zhytemi në errësirën e një batanije në divan.
Kur kemi shumë njerëz që na përqafojnë e falenderojnë që jemi, e ne mbesim me sytë tek ata që me shumë gjasa do zgjidhnin përkëdheljet e një kafshe shtëpiake përpara bisedës me ne.
Kur na jepet çdo minutë një mundësi për të kuptuar e shijuar e ne vazhdojmë të kthehemi nga e ardhmja apo të ngecim tek e shkuara duke mos i dhënë as edhe një shans të vetëm të tashmes.
Derisa një ditë zgjohemi, dhe zgjedhja jonë më e mirë nuk është më aty. Ne i humbim njerëzit shpesh ndërkohë që i kemi ende. Ndërkohë që ende na japin mundësi e kohë. I humbim sepse ne harrojmë të shohim përtej hundës sonë. Harrojmë të mendojmë që çdo gjë kemi perceptuar me sy, mund të lehtësohet me fjalë. Kur i kemi aty harrojmë të pyesim si janë, e nëse janë mërzitur me ne, çfarë mund të bëjmë për ta bërë më mirë.
Harrojmë t’jua themi që e bëjnë botën tonë më të bukur, harrojmë tua kujtojmë që ishin gjithmonë zgjedhja më e mirë, që nuk i morëm kurrë për të mirëqenë, por…thjesht…
Në fakt, ajo që duam, është të kemi thjesht dikë që të mbaj gjithmonë krahun tonë.
Në egocentrizmin që na karakterizon, duam që të kemi dikë në jetë që të na mbajë anën, kur edhe ne vetë jemi kundër vetes. Kemi gjithnjë nevojë të jetë dikush, që nëse qëndrojmë ku po na merret fryma, të na nxjerrë në ajër të pastër, sa për të na kujtuar që ka ende oksigjen, që do jetë gjithnjë një zgjidhje, sapo të vendosim të bëjmë një tjetër zgjedhje.
Ama, problemi qëndron që është shumë e vështirë të gjesh një tjetër human që të mbajë gjithnjë, e pa kushte anën tënde. Kështu që duhet të zgjedhim atë që e dimë që do jetë aty sepse nuk ka një tjetër Zgjedhje; veten.
“Jam në anën tënde.”
Duhet ti kujtojmë vetes që nuk ka rëndësi çfarë bën, sa gabime, sa herë mund ti çojë gjërat në dreq, për sa kohë ka bërë çfarë ka dashur, pa lënduar të tjerë.
“Jam në anën tënde.”
Thuaj ‘Jo’ sa herë ke nevojë, pa patur justifikime. ‘Jo.’ është një fjali e plotë. Thuaj kur ndjen që nuk po të kuptojnë. Thuaje kur të lëndojnë.
Mos ji e mirë me të tjerët, duke shkelur mbi veten tënde.
Nëse është e nevojshme, në ato ditët aq të lodhshme sa e vetmja gjë që mund të bësh është të heqësh këpucët, ashtu zbathur, merr një shishe verë, e mbushe një gotë, për veten, ashtu në vetmi, dhe përsërite në formë dollie, si më të bukurin urim:
“Jam në anën tënde!”
©AZ
03/01/2020