
Nuk të kam treguar…
A të kam folur ndonjëherë për ëndrrat e mia të thyera?
Ato që ndërtova me shpirt, që i thura netëve me yje, që i qëndisa ditëve me diell, e që diku në përditshmëri, pa e kuptuar mirë as unë vet, mu thyen.
Por, kam edhe ato që zhbëra…ato që ashtu siç i thura, i shqepa. Ato që i hoqa fije më fije dhe i shpërndava duke lënë bosh një tjetër vend.
Mbaj ende fort disa të fshehura. Disa që i kam lënë në cep fare të zemrës, duke pritur, se mos ndoshta, një ditë, e gjej sërish rrugën për tek to.
U bë kohë që unë nuk ëndërroj më…
Diku, në një mbrëmje të ftohtë, ose në një bar përpara një filxhan kafeje të ftohur, ose nën një strehë duke u mbrojtur nga shiu i papritur, u zhdukën të gjitha qelizat e mia që shërbenin për ndërtimin e ëndrrave.
Kur rreshta së bëri çfarë më bënte zemrën e qeshur, fillova ti humb një nga një ndjesitë. Kur ndjeva të qëndroja ku nuk më besonin, ku nuk ndihesha e mirëpritur, ashtu, humba dalëngadalë veten.
Nuk besoj të të kem treguar sa shpesh e ndjej kraharorin të më gulçojë, e megjithatë të mos nxjerr dot asnjë pikë loti. E di që nuk të kam treguar për të gjitha herët që kam patur nevojë, të lëshohem në një prehër dhe të mos ngre kokë derisa ta kem zbrazur të gjithë shpirtin. Nuk tregoj kur kam nevojë të marr kohë për tu mbushur me frymë, apo kur mbi shpatulla ndjej dhimbjen e rëndesave që mbart çdo ditë mbi vete.
Kam kërkuar gjithnjë të më tregojnë, madje në disa raste me ngulm, se unë e di që fjala shëron. Kam kërkuar të dëgjoj historitë e ndjenjat, sidomos ato që rëndojnë, se kam besuar gjithnjë që dhimbjet përgjysmohen kur ndahen e lumturia dyfishohet.
Ama, shumë rrallë, kam marrë kohën e energjinë, për të zbrazur zemrën time. E di mirë sa e vështirë është ndonjëherë të pranosh botën e dikujt tjetër që nuk është si e jotja, të pranosh të ndryshmen. Unë jam ndjerë gjithmonë ndryshe. Ja kam besuar rrëmujën e kraharorit tim kaosit të universit, yjeve e kostelacioneve që më kanë bërë shoqëri në netët që nuk gjeja gjumin.
Nuk të kam treguar sa herë kam patur frikë, e ti më njeh veç trime. Jo se nuk jam ajo. Përkundrazi. Unë guxoj gjithmonë, luftoj pa rreshtur e shpesh pa e kuptuar askush e krejt në heshtje. Por, shpesh kam frikë. Frikë nga e nesërmja e panjohur, nga e shkuara e pa folur, nga e tashmja e pajetuar…
Nuk të kam treguar për të gjitha herët që më ke lënduar duke mos më kuptuar, sepse pikërisht, e kam ditur, sa shumë nuk të kam treguar…
Kam kohë që nuk ëndërroj më. Kam kohë që nuk besoj më. Ama ende dhe gjithmonë, guxoj. Ti je akti im më i fundit i trimërisë. Duke të mbajtur aq afër sa mund të më thyesh. Duke të futur aq brenda zemrës sa mund të më lumturosh.
©AZ
01-12-2019