
Gramatika jonë
…por ti, ti rri. Hajde, mos ik.
Thonë që gjithçka thua para lidhëzës “por” nuk ka shumë rëndësi. Kështu ndodhi edhe me gjithë gramatikën e historisë sonë. Mund të kisha vënë pikë, por, unë vura pikëpresje. Nuk e mbylla fjalinë tonë.
Nuk të përzura dot, edhe pse më beso, shumë u mundova.
Të gjitha netët e mbytura në zhurmën e këngëve që kërkoja të mi jepnin shpjegim shpirtit, i mbylla me të njëjtën fjali: “…por, unë e dua!”
Kur zemrën ta thyeva pa e ditur se ç’po bëja, se me timen po të mbroja nga një vete që as e njihja më, duke më puthur në ballë, si tani më kujtohet kur më the: “…por, unë të dua!”
Të gjitha rregullat e gramatikës na kanë treguar që ishim “pa shpëtim”. Vetë mënyra si krijonim fjalitë na e ka thënë, që prapë do zgjidheshim, edhe kur nuk do të donim, edhe në ditët që do e kishim më të thjeshtë të vriteshim.
E gramatika nuk gënjen!
Ndoshta, një ditë do të të tregoj për të gjitha herët që jam frikësuar në palcë, edhe pavarësisht besimit absolut në gramatikë, se mos ndoshta nuk do ja dilnim. Nuk qenka e thjeshtë, jo. As dashuria.
Nuk është se na e kish’ premtuar dikush si të tillë në fakt.
Për shembull, unë e kam të vështirë të të them kur kam nevojë për diçka, e ti e ke gati të pamundur të më tregosh kur unë kam bërë diçka për të të mërzitur. E vëmë shpesh njëri-tjetrin, në lojë kukafshehti edhe ende nuk kemi mësuar t’ja lehtësojmë jetën, duke përdorur fjalën.
…por, e kemi jetën para për të mësuar. Apo jo?!
Ka ardhur vjeshta. Sa më shumë vishemi ne, aq më shumë zhvishet natyra. Më kujton fjalitë tona të përbëra. Sa më me nerva, e trishtë, apo e pazgjidhshme pjesa e parë e fjalisë, aq më shumë i humb rëndësia pasi themi atë “por…”.
Kur ftohet koha më duket sikur botën e kuptoj më pak, e sa më shumë më largohet bota, sa më pak më kupton ajo, aq më shumë gjej strehë nën tënden zemër.
Sado fjali të përbëra, me shumë lidhëza, mbiemra e folje, e rëndësishme në këtë gramatikën tonë është vetëm një fjali e thjeshtë me kryefjalë “Ne”, folje “kemi” e kundrinor “dashurinë”.
Në kemi një dashuri!
Ne kemi një dashuri që na pret, edhe kur ne ikim, edhe kur ne jemi të paaftë ta jetojmë. Ne bëhemi shpesh robër të frikës. Biem e pre e “tmerrit” të dhimbjes e lëndimit, e harrojmë që ka dhe një anë tjetër medalja.
Kështu që, edhe unë, do të të pres ty, e mbi të gjitha do pres edhe veten, derisa të bindemi që sado të mundohemi, arratia nga njëri-tjetri e nga kjo dashuri, thjesht nuk është një mundësi!
© AZ