…je errësira.
Ti je errësira ime. Je joshës, interesant, ndez tek unë të gjitha nyjet e nevojshme për të bërë gabime trashanike. E di unë. E ndjej sa të shoh emrin në ekran. S’ka fund të mirë historia ime me ty.
Por…
…e megjithatë…
…nuk më intereson !
Unë nuk dua histori me fund të mirë a të lumtur. Unë dua momente me ty dhe kaq. Për shpejtësinë që i jep gjakut në vena e rrahjet që marrin kot në kraharor. Ke patur gjithmonë aftësinë të më veshësh me magji, e të më bësh të ndjehem që jam fillimi i jetës e burim i buzëqeshjes, tëndes të paktën.
Unë nuk e di sa në gjendje je ti të kuptosh, se çfarë ndodh kur unë dhe ti shihemi. E ke vënë re si bie qetësi ? Se si papritur nuk mund të dëgjosh më asnjë zhurmë të jashtme ? Mund të dëgjosh mjaft mirë rrahjet e mia e të tuat, mund të dëgjosh se si qarkullon gjaku tek enët e tua e të mia të gjakut, madje madje në disa sekonda nuk arrin të kuptosh ku fillon ti e ku mbaroj unë. Ka një moment, aty, kur ne shkëmbejmë shikimet, aty mes zgjimit dhe ëndrrës, mes realitetit dhe imagjinatës, aty ne jemi vetja jonë më e vërtetë. Vetja që shkrihet në një shikim dhe merr jetë në një prekje.
Ka diçka që ndoshta nuk do e kuptoj kurrë, se me shumë siguri nuk pata aq guxim, dhe ajo është ndjenja. A ka një emër ajo që ndjehet kur ne, pa thënë asnjë fjalë kemi bërë fjalime ? A ka një fjalë për atë që ndjehet në prekjet që ndodhin duke ndenjur me centimetra larg njëri – tjetrit ? A ka një fjalë për atë që ndodh kur gjithçka është ndjerë mblidhet në sy e krejt papritur transformohet në buzëqeshje në buzë ?
E megjithatë, unë, vajza e fjalëve nuk dua ti di. Nuk dua ti di fjalët për secilën prej tyre sepse është më mirë kështu, është më lehtë kështu, është më e mundur kështu.
Ndoshta një ditë do rreshtim së kërkuari njëri-tjetrin, e akoma më ndoshta, një ditë do rreshtemi së gjeturi. Por, ajo që nuk di është nëse kjo humbje do mbetet për jetën tjetër, se për këtë, vështirë më duket…
Ti je errësira, e vetmja gjë që bën të mundur të shoh dhe vlerësoj dritën ! Ti je reja e zezë, pa të cilën nuk do mund të shihja kurrë një ylber.
© AZ