
A di të kërkosh falje ti ?
Je lënduar ndonjëherë ti ? Të kanë vrarë ndonjëherë aq shumë sa të mos arrish të çosh frymën deri në fund, se diçka në kraharor të ngjan sikur ndahet copash ?
Me siguri jo. Sepse, nëse do e kishin bërë ti do ishe shumë më i kujdesshëm të mos ja bëje dikujt tjetër. Ose, ndoshta, të kanë lënduar aq shumë dhe të kanë dashur aq keq, sa ti nuk mësove kurrë as të duash dhe as të jesh.
Unë e kam menduar gjithmonë që momentet më të vështira në jetë do i kalojmë kur të na duhet të falim njerëz që nuk do na kërkojnë falje. Sa më shumë e mendoj këtë aq më shumë thellohet ekstremiteti brenda meje. Mes një paqeje që mendon kur kjo falje të vijë, dhe një zemërimi të pashoq për mungesën e saj.
Më ke lënduar, e ndonjëherë e kam bërë edhe unë. Ama, kam ditur gjithnjë të them më fal, sepse nuk ka asgjë për diskutim kur dikush thotë që e ke lënduar. Nëse e ndjen kështu, kështu është.
A e di sa herë më ke humbur, përpara se të më humbje vërtetë ? Të gjitha herët që prisja një përqafim që nuk erdhi, një telefonatë që nuk u bë, një ‘si je’ që nuk u tha.
Duhet të kisha ulëritur të gjjtha herët që më lëndove, edhe pse padashje. Duhet ta kisha dëgjuar shumë qartë atë ‘Më fal !’, përpara se të konsideroja të falura gjëra që ende më dhembin. Sepse nuk po ndërtoja themelet e shtëpisë së ëndrrave që doja, por po ngrija kështjella rëre që shumë thjesht mund të shembeshin, siç ndodhi.
Tani po. Tani që s’je ku të kam mbajtur, tani që nuk jemi më ‘ne’, të kam falur. Tani nuk kam më nevojë të dëgjoj nga ty, kam llogaritë me veten tani.
Mua më duhet t’ja mësoj nga fillimi dashurinë vetes. Herë pas here, duke marrë të mirëqënë veten e jetën, humbim gjëra të rëndësishme. Siç u humbëm. Dashuria nuk është aq kollaj saç duket. Duke na dashur mirë apo keq, mësojmë si të jemi, si të sillemi e si të duam.
Ty kush të ka dashur aq keq sa të mësuan që dhimbja jote nuk kish’ vlerë ? Patjetër që e të tjerëve aq më pak.
Kush dreqin të mësoi të injoroje faktin që kraharori po të rëndonte aq shumë, sa po bëhej i vështirë të mbahej ?
Uroj ta rrethosh veten me njerëz që do të të mësojnë që ti nuk e meritoje çfarëdo të ka ndodhur që të bëri kaq të ftohtë, që të bëri kaq të brishtë sa ke frikë të duash, që të bëri kaq lehtësisht të thyeshëm, sa ngrite mure që të fortifikuan.
Nuk e di a e ke merituar dashurinë time, ajo që di me siguri është që nuk ke merituar kurrë dhimbjen që ke kaluar.
A di të kërkosh falje ti ?! Sepse ke një vete që ka kohë që po e pret ta dëgjojë atë “Më fal !”. Thuaje, e më pas fale. Fal këdo që të ka lënduar, e më pas fal veten që i le aq afër sa te kishin mundësinë ta bënin. E më pas hape zemrën sërish, e afroji sërish njerëzit aq afër, se veç nga aq afër mund të të duan, veç nga aq afër mund të të shërojnë !
© AZ