
…maksimumi në dhomën tjetër.
Unë isha në dhomën tjetër kur ti më kërkoje për të më treguar diçka në televizor. Më thërrite dy herë, e unë, hutuar mes rrobave për të palosur e vënë nëpër vende nuk të ktheva përgjigje. Nuk kishin kaluar as pesë minuta kur ndjeva që hape derën me furi. E më shtrëngove mes krahëve, sikur kishe kohë pa më parë, ose sikur do ikje për gjatë. Ngriva për një moment.
– Ka ndodhur gjë ? Duhet të ikësh ?
– Ah, jo jo. Nuk e di, se si më erdhi ashtu.
– Oh, në rregull. Le të të vijë më shpesh.
E them dhe filloj të qesh. Ti kthehesh tek televizori e unë vazhdoj me rrobat.
Kur të pashë në derë të ndjeva të trembur. Edhe jo nga ndonjë frikë racionale, megjithëse frika rrallë është e tillë, por i frikësuar se mos unë nuk do isha në dhomën tjetër.
Sa shumë kemi kaluar unë e ti. Sa shumë jemi humbur, ndonjëherë se s’kemi ditur të kërkohemi e ndonjëherë se s’kemi ditur të mbahemi. Ama, jemi gjetur gjithmonë. Kemi ikur e kemi ardhur, kemi hyrë e kemi dalë nga jetët e njëri tjetrit e nuk kemi folur ndonjëherë për të gjitha fantazmat që na janë krijuar.
Ka ditë që ti je shumë i lodhshëm për mua, e ka ditë që unë jam shumë e pakuptueshme për ty, ama në strehëzën e përqafimit tonë, të gjjtha keqkuptimet zhduken, e lodhja shuhet.
Se kur unë e ti jemi bashkë, kur ne bashkohemi në përqafim,aty pak rëndësi kanë fjalët. Pak rëndësi ka nëse e themi ose jo atë të ‘Të dua.’. Aty e vetmja gjë që ka rëndësi është çfarë ndjehet në shikim e prekje, aty e vetmja gjë që ka rëndësi janë rrahjet që sinkronizohen.
Ashtu hutuar, mes rrobave e mendimeve-kujtimeve, të ndjeva me hap të shpejtuar të afroheshe drejt derës së dhomës.
Mi merr rrobat që kam në dorë. I le mbi karrige dhe më tërheq nga dora për në kuzhinë. Më ul dhe më jep nje gotë verë. Merr dhe një për vete e bëjmë gëzuar. Pasi e kthej një herë, ma heq edhe atë nga dora. Shtrihesh edhe më përqafon. Unë qesh dhe tentoj të të pyes diçka. Por nga mënyra si më shtrëngon mes krahëve të tu më duket sikur je gati të më fusësh brenda në kraharor.
Nuk do doja të isha në asnjë vend të botës përveç se me ty në ato momente, dhe ta them këtë. Megjithëse ti mi bën nervat tel herë pas here ama je në gjendje të më qetësosh si pakkush, edhe ta them edhe këtë. Ti je telefonata ime e parë, je kontakti im i emergjencës, dhe ta them edhe këtë. Ti je ti, edhe unë nuk do të iki, maksimumi në dhomën tjetër, e prapë do të vij tek ty, imja shtëpi !
…edhe ta them edhe këtë. Unë nuk mendoja që ti kishe nevojë ti dëgjoje të gjitha këto, megjithëse unë vetë, ndjej shpesh nevojën të dëgjoj nga ty.
“Ik, ik, se të gjej këtu.”- më thua duke treguar me gisht mesin e kraharorit tënd, e mua s’ më bëhet më të iki as në dhomën tjetër, megjithëse rrobat janë bërë mal.
© AZ