
…në kërcitjen e gishtave.
Të pashë në ëndërr mbrëmë.
Po, sërish. Ti e di tashmë, ti dhe e pandergjegjshmja ime keni një lidhje dhe kuptoheni shumë më shumë se sa do arrijmë të kuptohemi zgjuar ne të dy.
Madje madje kisha harruar edhe ëndrrën, aq shumë po mundohem të të “injoroj”. Pastaj, më ra në dorë një artikull, se si paska disa njerëz që kanë dëshirë ti shohin të tjerët të trishtuar, dhe mua my kujtua shikimi yt sot. Aq të trishtë e aq të përhumbur, s’ta kisha parë pothuaj kurrë. Do të doja që me një të kercitur gishtash të të pastroja ty sytë nga trishtimi, dhe shpirtin tim nga dhimbja, por po ashtu, si me një të kercitur gishtash më erdhi edhe ëndrra, si për të më kujtuar që: Nuk i kontrollojmë dot të gjitha!
Ky është lajmi më i hidhur që unë kam marrë si “adulte” pasi mësova që nuk kisha asnjë fuqi të mbinatyrshme, nuk isha superhero dhe për pasojë as do mund të shpëtoja botën dhe as ndokënd, madje arritje madhe do ishte nëse do arrija të shpëtoja dhe veten.
Për shembull, sot kisha ngjitur në autobus një vajzë që po qante. Hapa çantën dhe i dhashë një letër, sepse nuk dija çfarë i dhimbte, por edhe ta dija asgjë nuk mund të bëja, ashtu siç nuk e kam bërë dot as për ata që do isha e gatshme t’ju jepja diellin nëse do mund ti lehtësoja sadopak. Por, ja që nuk mundesh. Kështu që pa e parë fare, thjesht i zgjata letrën për të fshirë lotët, dhe ajo më buzëqeshi ngrohtë, e me gjuhën universale të heshtjes më falënderoi. Nuk mund të bëja asgjë më shumë se aq, por di që bëra aq sa kishte nevojë në ato momente.
Ja pra, nuk mund ta shpëtojmë botën, e jetën e askujt. Sot nuk shpëtova dot nga dhimbja as veten. Kur të pashë krejt të panjohur para syve të mi. Ndërkohë që kam një shpirt që ende të flet, por për fat ti nuk arrin të dëgjosh. Më shumë se veten, do doja të të shpëtoja ty nga dhimbja sot. Të pashë të humbur, pa dritë në sy, e shumë do të doja të ishte ndryshe. . Diku je thyer. Diku të ka humbur entuziazmi. Nuk e di çfarë të ka ndodhur, por di që diçka po të strapacon. Teksa të ndiqja duke u larguar mendova nëse ti e pyesje ndonjëherë veten për mua.
A do të vije ndonjëherë për të më thënë çdo gjë kam bërë gabim? A do vije ndonjëherë të më pyesje përse i çova të gjitha në dreq? Pyes veten, vallë a e di ti që ai shpirt që ti thua që nuk ke, ulëret përmes syve të tu për ndihmë?
Por, unë e di që ti nuk do të pyesësh kurrë, edhe nëse pikëpyetja do të të gërryej kraharorin. Ti nuk do të pyesësh, sepse dashurisë së pafundme që mban në kraharor, askush s’ju përgjigj me dashuri. Ndoshta domethënë, se ti nuk flet, e unë veç kam lexuar atë që shpirti jot më ka besuar.
Unë kam shkruar që kur kam kuptuar që nuk do mund të mbaja kurrë veç për vete të gjithë tornadon që më krijonte në kraharor të dashurit siç dua, të thyerit siç thyhem, të ndjerit siç ndjej unë. E kam respektuar fjalën si pakkush që në naivitetin e një vogëlusheje që nuk ja dinte mirë rëndësinë po kish’ nisur t’ja ndjente peshën. Ama, për ty, e në lidhje me ty nuk ja gjeta anën as fjalës e as veprës.
Sa fjalë duhen për të të ngopur shpirtin ty?
Sa forcë duhet për të të qënë pranë?
Ende sot, kur shkëmbehemi, teksa unë largohem në drejtim tjetër, një përqafim qëndron aty, tek ty. Një përqafim i lehtë si flokët e parë të dëborës, e po aq lehtësisht zhduket, sikur nuk kishte qënë kurrë, megjithëse unë do të doja që të qëndronte pak më gjatë, aq sa për ta ndjerë ti si i përgjigjet dashurisë me dashuri… Por…
Nuk i kontrollojmë dot të gjitha!
Unë nuk e kontrolloj dot që ty nuk të kanë dashur kurrë siç duhet, e ti nuk munde të dalësh mbi.
Mua dashurinë ma kanë dhënë me tonelata, unë zhytem në dashuri, nuk mbytem në të
Nuk i kontrollojmë dot të gjitha as tek vetja. Unë përshembull, nën kërcitjen e gishtave do të të fshija nga e pandergjegjshmja e nuk do doja të të shihja më në ëndërr por e di që do vazhdoj të ndodhi. Ashtu siç nuk do ndryshojë fakti që unë funksionoj duke dashur edhe ata që kurrë nuk mund të më duan mbrapsht…
…si ti.
© AZ