
Rikthimi
– Ohu sa me fat je ti.
– Pse ?
– Po ti nuk do e dish kurrë çdo të thotë të të mungosh Ti. Të të marri malli për ty. Ti e ke veten gjithmonë me vete.
Buzëqesha. Heshta. E shtyva dhe një herë lisharësen ku ishte ulur, dhe i dola përballë.
Qeshja mendueshëm tek e shihja që gëzonte si fëmijë.
Si t’ja shpjegoja? Si ti thoja që unë e dija më mirë se kushdo çdo të thotë të të mungoj ‘Unë’. E kam parë veten të më rrëshqasë, pa patur pikën e fuqisë për ta ngritur në anën tjetër.
Një vetëtimë më lëviz vëmendjen nga mendimet e mia. As qielli nuk po hesht më.
Ndërkohë që unë, që punova aq shumë dhe gjatë për të mësuar fjalën dhe si ta përdor dhe ku ta vendos, tani jam duke mësuar heshtjen. Mu desh kohë për të kuptuar që përmes fjalës do dhuroj shpirtin, ama, përmes heshtjes do e ruaj.
Ja kështu kam heshtur dhe teksa shihja veten të arratisej nga unë. Nuk ndodh fare rrallë jo, ajo ndarja jonë nga vetja. Ne kemi dikë tjetër që kapet pas mureve të shpirtit, që nxjerr kokë, veç kur i shembim ato mure. E unë muret i kam ngritur të larta. Si unë dhe shumë të tjerë rreth meje.
Ne flasim me njëri tjetrin pa thënë në të vërtetë asgjë. I kemi zemrat thyer e bërë copa, dhe askush se di ça na bën të vazhdojmë funksionojmë sikur asgjë nuk ka ndodhur.
Jemi mpirë. Kemi harruar të ndjejmë, sepse nuk e kemi më kohën e luksin të ndjejmë dhimbje. Kështu që shtrëngojmë dhëmbët, formojmë buzëqeshje dhe vazhdojmë.
Në emër të?! A ja vlen?!
Nuk pyesim më ‘Si je?’, se të gjithë e dimë si jemi.
Derisa një ditë kërkojmë të gjejmë atë që kapet pas mureve të shpirtit dhe nuk e gjejmë. Ja kështu thjesht fare, një ditë e kërkon veten dhe nuk e gjen më. Nuk e gjen më atë njeriun e kapur nëpër mure, duke kërkuar të nxjerrë kokën si një luledielli fshehur pas një gardhi.
Mua më është arratisur vetja. Zhytur ndoshta në detin që na ka bërë shoqëri netëve të vona të verës, duke kërkuar një pjesë timen. Ose, ulur përballë oxhakut që dimrit ndezim për të ngrohur trupin dhe shpirtin, e aty pret se ndoshta me zjarrin tjetër do më gjejë dhe mua. Me shumë mundësi, mund të jetë mes librave, apo makinës së shkrimit…vetja ime atje është strukur. Meqë unë heshta ajo vrapoi tek shkronjat e fjalët për të mbetur në jetë.
Sa mirë e dija unë çdo të thoshte të të mungoja unë. Por nuk ja thashë me zë të lartë. Thjesht e përqafova, duke i dhënë nga vetja e duke marrë një pjesëz.
Ne shpesh i dreqosim gjërat, i bëjmë lëmsh, duke vrapuar larg frikës e dhimbjes. Konsumohemi në marrëdhënie të njëanshme ku nuk marrim asgjë, e harrojmë të shohim brenda. Jo pas, brenda. Të shohim çfarë ndodh me atë që kapet pas mureve që ngremë. Harrojmë të kujdesemi për veten, duke humbur në kontaktet me botën e jashtme.
Por, për fat, gjërat e parikuperueshme janë të pakta në këtë dimension. Kur ndjeva që më mungonte mbi të gjitha vetja shkova e gjeta mes shkronjave. Ndoshta herën tjetër do e gjej mes përqafimeve. Nuk di.
Ajo që di me siguri, është që, dashuria na shpëton. Dashuria për profesionin, pasionin që ushqen shpirtin, dashuria për njerëzit që të lexojnë sytë, dashuria për ata që të mbështesin pa fjalë, e mbi të gjitha dashuria për veten dhe jetën, dashuria për jetën tënde.
Nëse ndjen që të mungon vetja tani, ngrihu, bëj një kafe, ose mbush një gotë verë, ulu, merr frymë thellë, mbyll sytë dhe kujtohu ku e ke parë për herë të fundit. Shko atje. Merre për dore, përqafoje, kërkoji falje, dhe kthehuni në shtëpi.
Është një jetë e gjatë, nuk e kemi luksin për ta jetuar keq!
© AZ