
Si kohën.
Kur isha më e vogël më tmerronte “ngecja”. Të ngecja diku ku nuk isha e lumtur, me njerëz që nuk më kuptonin, duke bërë diçka që nuk doja. Më tmerronte. Ndaj shumë herët në jetë nisa të vrapoj, në kërkim të pandalshëm të asaj që do më fliste.
Kam lëvizur e kam ndërruar vend sa herë kam ndjerë që po rrija se “duhet”, se “ashtu është më e mira”.
Ashtu siç kam qëndruar kur çdo gjë e imja më bërtiste të mos hiqja dorë. Ashtu siç kam ndalur vrapin, sa herë diçka më ka bërë të kthej kokën e më ka kuptuar rrahjet e zemrës.
Ashtu siç ndala kur të gjeta, a më gjete. Atëherë, kur shikimi yt zbërtheu gjuhën e pafjalëzuar të rrahjeve në kraharor.
Nuk i mas dot njerëzit me kohë, nuk e kam bërë kurrë.Sigurisht është bukur të numërosh vite që kalojnë, nëse cilësia e marrëdhënies mbetet e njëjtë, ose akoma më shëndetshëm, vjen në përmirësim. Por, nuk matet rëndësia me sasi kohe, se kjo do bënte krejt të parëndësishme përjetimet dhe emocionet. E unë quaj jetë çdo moment që më jep ndjenjë, sido qoftë ajo.
Nuk i kam matur kurrë njerëzit me kohë, prandaj e pata shumë të thjeshtë të “dorëzohem” në sytë e tu. Kur pashë si kuptoje në kilometra larg çdo gjë që, sytë e mi që nuk pushojnë kurrë, të besonin në shikim. Unë nuk pres të kuptohem nga askush. Shumë herët në jetë jam mjaftuar me atë që kishin njerëzit, pa kërkuar mbi atë që mund të ofronin. Por ti kuptove kaq shumë, aq shpejt. Ti më fole në shtrëngim duarsh, e unë nuk të kërkova fjalë që nuk mund ti thoje.
Me ty mund të jem e çmendur në maksimum, dhe mënyra jote e të më kuptuarit akoma më surprizon. E gjithë qenia jote i flet times. Ti ikën e vjen, e unë gjithashtu. E duam tepër lirinë, për tu përcaktuar në limite. E megjithatë, ti je e pasigurta ime më e sigurt. Të kam patur edhe kur s’ke qënë, e më ke sa herë më sheh.
Në valët e mia të inatit kur nuk dua të them as edhe një të vetme fjalë, dhe emrin dua të të harroj, veç ‘Dashuri’ më vjen të të thërras. Të kam menduar aq gjatë, për të të jetuar pak. Ti je biseda më kuptimplotë nën qiell. Bashkë, i fikim dritën realitetit dhe ndezim dritën shpirtit, aty ku merremi vesh thjesht, aty ku jemi kuptuar që kur pak dinim për njeri tjetrin.
Sepse aty, në dimensionin tonë, nuk kanë më rëndësi fjalët, as ‘Të dua’-t nuk duhen më, aty vlen vetëm ajo që ndihet kur përqafohemi, kur shihemi në sy, kur mbështes kokën në kraharorin tënd, aty unë nuk mund të gënjej….
Nuk të mas dot me kohë, po të dua si kohën. Pa pse e si, thjesht se je ti. Të dua si kohën, me forcën dhe shpeshtinë e infiniteve që ajo fsheh brenda çdo përcaktimi.
© AZ