
A të mungon vetja?!
Nëse do e dija që do ishte hera e fundit që do të të njihja, me siguri do të të kisha përqafuar pak më gjatë. Do kisha shtrënguar pak më gjatë mes krahëve atë pjesë tënden që ti ke përzënë.
Ne të gjithë ndryshojmë, gjatë gjithë kohës. Çdo ditë na mëson diçka të re, na jep një emocion të ri. E sa herë mësojmë diçka më shumë, sa herë hapim zemrën e shpirtin ndaj një ndjesie të re, na ndryshon diçka tek vetja. E kështu, zgjohemi ndonjë ditë, dhe nuk njohim asgjë në pasqyrë.
Ne shpesh herë digjemi si pasojë e zjarrit të njerëzve që duam. Mua më ka ndodhur e shumë të tjerëve gjithashtu. E ndonjëherë ne jemi zjarri që djegim ata që duam më fort. Ama, ka diçka që nuk duhet të ndryshojë kurrë, dhe kjo është njeriu që është brenda nesh.
Nuk ka mall më të fortë se sa për ata njerëz që i ke aty, në largësinë e dorës, po nuk kanë asgjë nga ajo që ti ke njohur. Nuk ka pafuqi më të madhe se të duash ti shkundësh ata që ti do fort, për t’ju kujtuar veten.
Të kam parë tek ke hequr një nga një, e pak nga pak, çdo gjë që të jep ngjyrat e tua. Jam e bindur që as ti nuk e njeh më veten. E kuptoj shumë mirë pse e ke bërë, e ndoshta do e kisha bërë edhe unë njëlloj e njëqind herë të tjera.
Nuk e kisha menduar kurrë që do më dhimbte kaq shumë të parit një portret që e dua kaq shumë dhe nuk e njoh më fare.
Ke të njëjtin trup, por asgjë në atë përqafim nuk është ‘ti’.
Ke të njëjtën ngjyrë sysh, po s’ka mbetur asgjë nga sytë që më zhbirilonin mua edhe të pandergjegjshmen.
Nuk di për ty, a ke ti ke mall për veten?
Të kujtohet kush ke qënë? E kujton tingullin e të qeshurës tënde? Atë të vërtetën, atë që të dallonte në turma. Jua mban mend shkëlqimin syve të tu? Se si edhe në foto përcillnin jetë? E mban mend?
Të kujtohet si shëronte fjala jote e përqafimi yt? Arrin të kujtosh sa shumë flisje për dashurinë dikur? Ti mbaje magji në kraharor, e sy, e përqafime dhe nuk e kurseje kurrë për ta ndarë me të tjerët, se veç të shumëfishohej sa herë jepje.
A të mungon ndopak vetja jote e vërtetë?!
Por…ty të thyen. Ti dhe jetë atje ku nuk kishte, solle dritë ku kish veç errësirë, e sot nuk gjen veten askund. E ke lënë pjesë pjesë në vende të ndryshme, e nuk po do më as të shkosh ti mbledhësh?
Ku je? Të ka marrë malli për veten? Nëse po, do i sjellim të gjithë ato pjesë të tuat që ti le për të na shëruar ne.
Fale veten. Fale për të gjitha herët që nuk dëgjoi intuitën, për të gjitha herët që u vra. Fal edhe të gjithë ata që të kanë bërë keq, me ose pa dashje. Liroje veten nga zinxhirët e zemërimit e fajit, dhe nis të kerkosh çfarë humbe në kërkim të barazimeve me botën.
Sa shumë më shumë do të të përqafoja po ta dija që do të ishte hera e fundit që do të të njihja…
Sa shumë do të të shtrëngoja po ta dija që ti do shuaje pak nga pak shpirtin dhe esencën tënde.
A e di sa shumë ke humbur nga vetja? A të ka marrë malli për të?
Më lër ta mbaj unë pasqyrën, me njërën dorë, sa të gjesh në reflektim çdo gjë mungon. E dorën tjetër merre ti, e vendos në vend të gjitha copëzat e tua.
Sa nuk e ka luksin kjo botë të humbë një shpirt si i yti.
A të mungon vetja? Se mua më mungon ‘TI’!
Do të të përqafoja fort po ta dija që nuk do të të njihja më, por do të të shtrëngoj edhe më, në përqafimin e rikthimit, atë që më ka kthyer mua veten qindra herë…
© AZ