
Një shtëpi në botë.
Sa më pak do kthehesha, po të mos ishe ti.
Do ikja me vrap e pamenduar. Do gëlltisja të gjithë mallin, e do ngrija e ndërtoja tjetër gjë, tjetër kund.
Sepse mësohesh me ndjenjën e mallit, me njerëzit që të mungojnë. Nuk I zëvendëon me të rinj, thjesht jua ruan atë vendin edhe kur zë pluhur. Ja “pastron pluhurat” me një telefonatë herë pas here, me disa lot që nuk arrin ti menaxhosh dot, se malli e mungesa nuk njohin trima. Prandaj, ka dhe do të ketë gjithë kohës njerëz që do ikin e do kërkojnë diçka tjetër, diku tjetër, jo se i duan më pak njerëzit e tyre, por se duan veten aq sa për të mos i mohuar ndjenjën e shtëpisë. Njeriu duhet patjetër të gjejë shtëpinë e tij në botë, e të mos rreshtë së kërkuari deri sa ta zbulojë ku a kush është.
Do ikja shumë më shumë, e do kthehesha shumë më pak po të mos ishe ti.
Por, Ti je shtëpia që nuk do mund të gjeja askërrkund tjetër. E ka vetëm një shtëpi në botë thonë, dhe ti je e imja. Ti je streha e sigurt, ti je ajo që ke dëgjuar më shumë se vet unë zërin tim, që mi ke marrë të gjitha rrëmujërat sikur po të jepja lule.
Kaosi dhe parregullsia jote kanë arritur gjithmonë të vënë qetësinë e të sjellin paqen tek unë. Ti mban rrugët tek të cilat kam shijuar për herë të parë ngritjen pas rrëzimi. Mund të numëroj qindra vende në të cilat kam krijuar kujtimet më të shtrenjta, të cilat vazhdoj ti mbaj si themele të forta të miat. Veç tek ty jam ndjerë tërësisht e plotë dhe kur kam qënë e thyer. Gjithmonë e kam thënë, që ti ndoshta je i vetmi vend në botë që të shkon edhe grija e shiu. Sepse në fakt, vetëm kur ndihesh në shtëpi nuk të bezdis shiu. Ti je vendi që ka dëgjuar si bërtet ajo e zhurmshmja në kraharor, dhe ja ke dëgjuar gjithë rrëfenjat. Ti më ke dashur edhe copë copë, e më ke ndihmuar të bëhem e plotë.
Ti je shtëpia ime, ajo unikja në botë. Vendi që të shplodh kur të gjen të dërrmuar. Shumë ti dua ditët me diell, por mbi të gjitha të jam pafund mirënjohëse për diellin që ke vënë në qiellin tim, duke më dhënë ndjesinë e shtëpisë.
Unë do vazhdoj të iki, por gjithmonë do të vij. Tek ty do rikthehem, se të kam mbi të gjitha mrekullitë e botës, mbi të gjitha vendet magjike dhe të veçanta, ty të kam shtëpi!!
© AZ
Photo ©️ Ervin Kotori