
Më premto kthimin…
Isha ulur në cepin që më lejonte pamje të plotë të të ndiqja tek bëje valixhet gati për këtë udhëtim. Nuk është hera e parë që ikën, por është hera e parë që unë gjendem në procesin tënd të të bërit gati. I kam urryer gjithmonë valixhet për ikjet, të ndajnë në dysh. Gjithmonë duhet të lesh diçka pas. Në rastin më të bukur do jenë një palë çizme a një pallto, e në ndonjë rast tjetër është zemra e shpirti.
Nuk po e kuptoja as vet melankolinë që më pushtoi, sikur po ikje për të mos u kthyer më kurrë. Teksa mundohesha të nxirrja nga koka këto mendimet e shëmtuara, ti ktheve kokën nga unë dhe më buzëqeshe. Çdo mendim i shëmtuar sikur u fshi me magji. Ajo buzëqeshje prej kohësh më kishte rikthyer paqen. U shtriqa e u rehatova në kolltuk, e vazhdova të qëndroja në mendimet e bukura që më kish kthyer fytyra jote e buzëqeshur.
Shumë gjëra kam mësuar nga ‘Ne’. Kur përveç ‘unë’ mësova të jem ‘NE’, kuptova si rreh zemra nga përqafimi i duhur. Si është të ndjesh çdo rrahje zemre edhe në mijëra kilometra. Çfarë do të thotë vërtet komunikimi i syve. Se çdo të thotë që pa thënë asnjë fjalë të vetme, me një buzëqeshje të themi shumë. Ai gishti që tundet sa herë të shkel syrin pas ndonjë komenti ironik, që ti e di mirë që nuk para i kam zakon. Jo pra, as këtu nuk i qëndrova dot larg ironisë. Por, edhe me të merresh vesh.
Të gjithë ‘egërsisë’ sime i ke gjetur gjuhën. Arrin ta menaxhosh, pa qënë nevoja ta zbusësh. E dua shumë mungesën e sheqerit të tepruar tek ne, unë gjithsesi nuk kam qënë kurrë një fanse e madhe e të ëmblave.
Ti vazhdon hap e mbyll dollape, e bën vara-vingo nëpër shtëpi duke mbledhur çdo gjë që të duhet.
Ngrihem e të afrohem për të të pyetur nëse mund të të ndihmoj me diçka. Nuk e di çfarë fytyre mund të kem bërë që le çdo gjë ke në dorë, edhe kthehesh nga unë.
– Çfarë do që të të sjell? – më thua teksa më mban fytyrën në duar dhe më depërton me shikim deri në shpirt.
– Më premto kthimin! – të them me gjysëm zëri, ndërkohë që në majë të gishtave zgjatem për të të puthur.
Më përfshin të tërën në përqafim, dhe më jep gjithë sigurinë e botës që ndoshta asnjë grumbullim fjalësh nuk do mundej ta bënte.
– Mbaroje atë libër të më tregosh fundin para se të iki, – më thua me buzëqeshjen plot paqe, – sa të mbaroj unë paketimin që ke inat. Kemi kohë edhe të hamë drekë, para se të nisem.
Kthehem në cepin tim dhe lexoj librin. Nuk kam nevojë të të ndjek me sy më.
Ti do kthehesh, se ma premtove me përqafim. E ti betohesh në përqafim, si unë në fjalë.
Ti nuk do vonosh, e do vish prapë. Ndërkohë unë do kem një libër të ri për të të treguar.
© AZ