
“Më ka marrë malli.”
A do ishte më pak ‘jetë’ nëse nuk do ndjenim mall?
Por me siguri do të ishte më e lehtë.
Malli dhemb. Malli dhemb shumë e ndihet fort. Është i vështirë malli.
Në disa ditë gëlltitet, se kështu duhet. Se nuk duhet ta bësh më të vështirë seç është, se nuk duhet ta rëndosh edhe më peshën, se duhet të gjesh forma për ta bërë më të thjeshtë.
E në disa ditë të tjera, si kjo e sotmja për shembull, rëndon pesha mbi supe, qëndron si i pozicionuar keq mbi zemër. Në ditë kur të është dashur ti kujtosh vetes të pish ujë e të ushqehesh, se ngarkesa e punës nuk të ka lënë kohë të mendosh, ajo pesha e mallit gati të merr frymën. Nuk arrin të mbushesh mjaftueshëm me ajër, pavarësisht sa herë merr frymë thellë.
Megjithatë, e anashkalojmë. E rehatojmë në një pjesë të shpirtit e vazhdojmë ditën. Se duhet ta bëjmë më të thjeshtë për njerëzit që duam.
Ç’gjëra bëjmë për njerëzit që duam!
Dashuria është përfundimisht një ndër ndjenjat më të çuditshme që njeh spektri i emocioneve dhe ndjenjave njerëzore. Shumë gjëra bëhen në emër të saj. Ndonjëherë teprohet e abuzohet me emrin e saj. Shpesh gëlltitemi e mbajmë rëndesa fshehurazi, në emër të saj.
Ndjenja e mallit është një ndër derivatet më të fuqishëm të dashurisë.
Për çdo ‘lloj’ dashurie që ka, ka edhe një mungesë të njëjtë. Unë kam ndjerë deri edhe mungesën e qytetit, si e kam kërkuar kur nuk e kam patur. Sa sot, mendoj që akoma nuk kam arritur ta tejkaloj, akoma nuk kam arritur të ngopem. Sa shpesh them, nuk mund ta duash kurre dikë e diçka sa mund të të mungojë. Mungesa është më e fuqishme.
E kështu na ndodh për çdo dashuri.
Ne na mungojnë gjithmonë ata njerëz që kanë arritur të na rrëmbejnë zemrën e të na shenjojnë shpirtin. Nuk të mungon vetëm personi, jo. Të mungon fjala e përqafimi, shikimi e mbështetja.
Prandaj, shpesh në ditë si kjo, më vjen mendimi: “Po sikur të mos ndjenim mall?!”
A do të ishte më e thjeshtë? Do kishte më pak trishtim?!
Por, shpejt ja gjej përgjigjen. Jo, në fakt. Mos ma hiqni mallin e mungesën. Të qëndrojë aty dhimbja e rëndesa. Se malli ndryshe nga çdo mungesë, nuk është boshllëk, kjo mungesa e mallit vjen plot.
Plot telefonata të gjata, plot shënime që t’ja thuash kur ta takosh, plot shëtitje që e mban në mend, plot kafe me diskutime zemre.
Kjo mungesë që vjen nga dashuria, është plot dashuri.
Ndoshta po të mos ishte, mund të kishte më pak trishtim, por do kishte kaq shumë boshllëk, kaq shumë ‘asgjë’.
Megjithëse sot më rëndoi si rrallëherë, megjithëse sot mu desh disa herë të merrja frymë thellë për të mbushur mushkëritë me oksigjen, e di që e gjitha është thjesht rruga për përqafimin e parë të kthimit, për përqafimin që i ve fundin mungesës.
Nesër do i rikthehem sërish të të bërit më të thjeshtë, e sërish do nis strategjitë për të marrë buzëqeshje e dhënë lumturi, ndonjëherë edhe duke bërë palaçon, se kështu duhet.
Ama sot, dua ta them me këtë gjysmë zëri, që del si psherëtimë nga shpirti, fjalinë po aq të thjeshtë, sa të komplikuar:
“Më ka marrë malli.”
…shihemi së shpejti!
© AZ