
Hajde të të përqafoj.
Sa pak lumturi ka në botë. Nuk do doja të ishte ky raport.
Unë do doja që të kishte shumë më shumë njerëz siç jam unë sot, se sa si kam qënë dje. Do doja të shihja më shumë sy të qeshur, se buzë të qeshura. Do doja shumë më shumë lumturi të sinqertë se sa gëzim diplomatik, nga ai që buzëqesh se ashtu duhet, se kështu do sillej kushdo. Unë dua të shoh njerëz që çmendin të tjerët me lumturinë e tyre, nga ata që energjia e tyre e bukur përqafon çdo gjë rrotull.
Sa pak përqafime ka në botë!
Hajde të të përqafoj!
Unë mund të them me bindje që ti je ndër gjërat më të bukura të jetës time.
Ti erdhe tek unë, si ai elektroshoku që të rikthen në jetë; të trondit botën, por të rikthen rrahjet e zemrës. Më riktheve ndjesinë e jetës, sikur hape dyert e mbyllura fort të shpirtit dhe injektove ilaçin me dashurinë tënde, duke m’i shëruar kështu, pa e kuptuar as unë vet të gjitha.
Do të gabojmë herë pas here, por ajo që mbetet e rëndësishme është ajo që ndodh pas gabimit, si do e rregullojmë, si do kërkojmë falje, si do jemi sërish, ne. Në ditët e tua të këqija do i bëj unë dhjetë hapa më shumë, e nëse do duhet, të gjithë rrugën.
Do të të takoj ashtu siç dëshiron ti,
Do të të takoj aty ku dëshiron ti.
Aty, ku dashuria nuk është vetëm fjalë. Aty ku sytë e flasin e përqafimet qeshin.
Aty ku përgjigje ka plot e dyshime aspak.
Hajde të të përqafoj.
Sepse unë besoj fort që kjo që është mes meje dhe teje, është diçka përtej të zakonshmes, është diçka që vlen të luftohet për, diçka që vlen ti besohet.
Për mënyrën se si shpirti yt arrin të bëjë dashuri me shpirtin tim, edhe në një të vetëm shikim, do të ecja pak më shumë.
Për përqafimin që çon në vend shpirtin, për puthjen që ndez të gjitha qelizat, për heshtjen që sjell të gjitha përgjigjet, e mbi të gjitha për mënyrën si më pret krahëhapur edhe kur ke kthyer kokën, do të qëndroja akoma, do të prisja sa të ish’ nevoja.
Unë e ti nuk kërkuam kurrë te kuptoheshim nga askush që nuk ishim ne. Se ashtu si gjithë betejat i kishim bashkë, edhe lumturia është e jona.
Lëre botën jashtë.
Hajde të të përqafoj.
Në këtë perimetër njoh si tingëllon lumturia që qëndron.
© AZ