
Rrugë të mbarë, por hajde prapë.
Një njeri me mend ka thënë: Jeta ka një zakon që i merr ata që ti do më afër dhe i hedh nga ana tjetër e oqeanit. Për ty e për mua mund të jetë ana tjetër e detit, e botës, apo qytetit a shtetit.
Ideja është që shpesh ata që duam më afër e më fort i kemi larg.
Njerëzit ikin gjithë kohës. Nëse je me fat, ata ikin veç fizikisht, largohen me kilometra e qëndrojnë po aq afër në zemër. Distanca fizike është mësues i mirë shumë. Unë e kam provuar të iki vet, por kam provuar dhjetëra herë të më ikin. Dhjetëra herët kanë qënë shumë më të vështira se ikja ime.
Kur unë ika, nisa çdo gjë nga fillimi, më mungonte gjithçka dhe gjithkush, kisha një jetë të tërë për të ngritur nga zero.
Ama, kur më ikën dikush ndryshon bilanci. Çdo gjë vazhdon normalisht, veç atij vendit bosh… Çdo gjë që bëje më parë, rutina e të përditshmes do vazhdojë njëlloj, veçse do ketë tashmë nje hapësirë bosh. Një vakum, që rëndon shumë, ashtu siç i ka hije boshllëkut të mallit.
Ajo kafja e përditshme?
Ajo telefonata pas pune?
Ajo dreka e fundjavës?
Ato netët me shumë verë e fjalë, dhe pak gjumë?
Ato udhëtimet e shpejta për në det me muzikë në ‘kupë të qiellit’?
Ato diskutimet e gjata pa fillim e fund, në vendin tuaj?
Të gjitha, ashtu krejt papritur kthehen në: ‘A të kujtohet kur…?’ ‘Mban mend atë herën që…?’
Me atë avionin që ngrihet, apo atë autobusin që niset, me atë burinë e fortë të tragetit, apo zhurmën e fortë të gazit të makinës, ndodh që na ikën një copë shpirt. Ndodh që nuk ndihemi më kurrë të plotë deri në zbritjen e atij avionit, apo ndalimit të asaj makinës.
Oh sa shumë është shkruar për ikjet. Aq shumë të shenjojnë sa ka mijëra fjalë qëndisur për to. Në formë citatesh, në poezi, në këngë a romane. Ka mijëra forma, sepse kur malli të rëndon aq shumë sa ndjen sikur po të merret fryma, kur përqafimi që shëron ka ikur larg, e vetmja gjë që mbetet është ta thuash, ulerasësh a këndosh, ama ke nevojë ta thuash.
Janë të paktë, por ka disa njerëz për të cilët do i vendosje duart në zjarr, e për të cilët do shkoje në luftë.
Janë miqtë e vërtetë të zemrës. Janë ata që nuk ka rëndësi sa herë ikin, do të vijnë prapë. Janë ata që nuk ka rëndësi sa ju flet ta njohin tempin e zemrës e dinë prej nuk i dihet çfarë, se kur duhet të jenë aty, në një formë ose në një tjetër.
Njerëzit kanë ikur, ikin, e do vazhdojnë ta bëjnë. Hidh një sy për ata që kjo nuk ju ndryshon asgjë, që sa herë vijnë, ajo kafja, ajo gota e verës dhe ajo dreka vazhdojnë mbajnë vendin që kishin. Shiko ata që gjejnë një moment gjithmonë për të të pyetur si je, për të të parë sytë.
E mbi të gjitha, shiko ata që thonë: ‘Do vij shpejt.’
Sepse, njerëzit ikin gjithë kohës, por ata që të marrin shpirtin me vete gjithmonë të lajmërojnë kur do të ta sjellin sërish.
Sepse, në fund të ditës, njerëzit nuk maten me ikje, maten me kthime.
Sepse, në fund të ditës, nuk ka rëndësi sa shumë na thyhet zemra kur ikim, por ka gjithë rëndësinë e botës si na ngjitet shpirti nga përqafimi i kthimit.
© AZ