
Vajza me kokë në qiell.
Ecja një natë në parkun e qytetit. Bënte shumë ftohtë kështu që po mundohesha të nxitoja për të arritur destinacionin sa më shpejt. Në një prej stolave më zunë sytë një vajzë që duhej të ishte rreth 5 vjeç. Qëndronte me kokën ngritur duke parë yjet. Kishte mbështetur kokën në pjesën e sipërme të stolit, ndërkohë që kishte injoruar totalisht shoqëruesit e saj që po flisnin gjithë zell për diçka. Nuk di pse qëndrova dhe unë. Ndala hapin direkt.
Më solli krejt habitshëm një pamje të vetes. Mu duk sikur për një moment po shikoja veten 5 vjeç. Nuk kam asnjë foto të tillë, nuk kam asnjë histori që të më sjellë këtë pamje. Kam veç fjalitë e herëpashershme të sime gjysheje: “Ngeli me kokën lart kjo goc.” Ndërsa ajo e thoshte si merak, unë e merrja si kompliment.
Ndërsa ime gjyshe kërkonte që unë të qëndroja më sytë në tokë, unë veç këmbët kisha lënë aty. Shpirt, e zemër, e sy, ja kisha besuar yjeve.
Por, rrëmuja dhe vrapi i ditëve, i punës, i gjithçkaje që më rrethonte, më kish bërë të harroja se ku më pushonte zemra.
Edhe ja. Universi më solli përpara kësaj vajzës që pushonte sytë në yje. Kësaj vajze që më bëri të frenoja vrapin e radhës.
Qëndrova dhe më erdhi kaq natyrshëm të ngrija kokën lart në qiell. Madje, madje më erdhi të ulesha afër saj. Kisha përhumbur në këtë pamje, dhe këtë e vura re se shoqërueset e saj siduket habitur, kishin ndalur bisedën. Ju buzëqesha.
– I vetmi moment që mund ta shohësh ulur, kur shef yjet është, – më tha njëra prej tyre.
Qesha edhe më shumë.
Ju afrova vajzës së vogël, ndërkohë që shoqërueset ju rikthyen bisedës. U mundova të kërkoja të shikoja të njëjtën gjë, të pozicionohesha në mënyrë të tillë që të kisha të njëjtin kënd e spektër shikimi. Doja të dija ça mund të kishte atje sipër që të mbanin gozhduar një fëmijë 5 vjeç, që përndryshe sillej si uragan kudo.
– A njeh ndonjërin prej tyre? Jua di emrat?
Kështu tentova të nis bisedën me vajzën që nuk lëvizi asnjë sekondë kokën nga yjet.
– Jo, nuk jua di. Por ju kam vënë vet. Kur të rritem do i mësoj të gjithë emrat e do ja tregoj gjithë botës.
E përkëdhela lehtë tek kaçurrelat ngjyrë ari, dhe ktheva sërish sytë nga qielli. Nuk e di se kur mund të kishte qenë hera e fundit që kisha marrë kohë për të parë pak qiell, për të rikujtuar të gjitha herët që i kisha besuar asaj pafundësie të fshehtat që më tregonin sytë.
– Si quhesh? – iu riktheva sërish vajzës që qëndronte në krahun tim.
– Kaltra. – tha, dhe ishte i vetmi moment që ktheu sytë nga unë. Kishte sy ngjyrë det fiks si emri që mbante.
– A mund të të përqafoj pak, Kaltra? – e pyeta, si e zënë në faj, për çfarë po I kërkoja këtij fëmije që kish veç pak minuta që më kish takuar.
Por fëmijët, për fat, janë ndryshe nga të rriturit. Në botën e tyre ka akoma shumë yje e meteorë, ka dritë e errësirës as nuk ja njohin shijen. Kështu që, Kaltra, pa fjalë, thjesht hapi krahët e më priti në përqafim. Pushoi kokën e saj plot susta të arta në shpatullën time, e mua mu rikthye për pak sekonda vetja 5 vjeç.
Kur u shkëput, më qeshi, e duke tundur kaçurrelat e saj të florinjta më tha:
“Përqafimet edhe yjet janë gjërat që dua më shumë në botë!”
Pikërisht. Kështu kisha menduar edhe unë deri vonë. E akoma nuk di saktë se kur kisha harruar.
Kisha nevojë për dikë që të shpëtonte veten time nga vetja ime. Isha duke e lodhur aq shumë sa kish harruar të ngrinte kokën në qiellin që aq shumë donte, kishte harruar të prehte mendjen në yjet që ja njihnin aq mirë shpirtin, kishte harruar të dhuronte, merrte e shijonte përqafimet që aq shumë ju kish besuar.
E bëri Kaltra me pastërtinë që vetëm një fëmijë 5 vjeç mund të ketë. Më shpëtoi mua nga vetja ime duke më kujtuar që isha shumë më shumë se çdo gabim për të cilin po i shkulja veshin vetes, isha shumë më shumë se çdo zhgënjim për të cilin i kisha vënë duart në fyt shpirtit.
Kaltra me kokën në qiell, më përqafoi, e mu duk sikur së bashku përqafuam veten time 5 vjeç.
Besoj fort që vetes time 5 vjeç nuk i kanë munguar përqafimet, por edhe një më shumë nuk mund ti bëjë keq.
Ndoshta një përqafim nuk mund të rregullojë apo shpëtojë botën, por mund të shpëtojë një shpirt.
Unë e di mirë. Shpirtin tim e shpëtoi një përqafim.
© AZ