
Parfum shpirti!
Nuk kam njohur asnjë shpirt deri më sot që të mos ishte perfekt. Japin një aromë në gjithçka duan të përcjellin dhe të afektojnë në një tymnajë dashurie që zor ti rezistosh. Çdo shpirt vjen në jetë me dëshirën për të manifestuar atë çfarë përfaqëson, duke shprehur në formën më perfekte atë që ndjen së brendshmi.
Ashtu sikurse bën ti…
Gjithë universin m’a zbret në tokë me hyjninë e ndjelljes, kur më mëson se si të jem një qënie e drejtuar nga ty, po aq sa të mësoj unë të jesh një shpirt me mënd…
Unë besoj në shpirt. Besoj që ajo që njerëzit thonë në sy e përqafime është e vetmja e vërtetë që kanë. Besoj në energjinë që njerëzit sjellin edhe kur s’janë. Unë besoj vërtet që nëse ne do arrinim të fjalëzonim shpirtin e ta jepnim ashtu pa kompromis, me gjithë rrezikun që kjo ka, e sigurt është që do ishim pak më të lirë e për pasojë edhe më të lumtur.
Jemi shpirtra që gjuhën e kemi gjetur që shumë kohë përpara se të dëgjonim tingullin e zërit të njëri-tjetrit. Ti m’a sjell paqen aq shumë të nevojshme në më të lodhshmet ditë, ndërkohë që mezi pret rrëmujën time në qetësinë tënde të tepruar. Uroj të ta kem thënë në ndonjë mënyrë që ti ja ul krejt rëndësinë ngjyrës së qiellit e temperaturës së ajrit, se me diellin e shpirtit bën verë edhe dimrin.
Me shikimin plot jetë më sjell aromën e detit në muzg, e me përqafim ma sjell ngrohtësinë e pemës së Krishtlindjes, të gjitha parfumet më të dashura, aromat më të ngrohta sepse ti e ke shpirtin shtëpi. Më kujton atë kakaon e ngrohtë të pasditeve të dhjetorit, rreth së cilës ndërtohen kujtime që formëzojnë jetën e i japin jetë zemrës.
Shpirti vjen erë dashuri…
© AZ & Desantila Vatnikaj (http://desantila.blogspot.al/2017/11/parfum-shpirti.html)