
Rrugës për tek ty…
Sa shumë përqafime kanë mbetur rrugëve për të ardhur tek ty…
Të kam nisur shumë. Ti kam nisur kur nuk të dija ku ishe. Ti kam nisur edhe në ditët që kaloje shumë shkarazi në mendje, aq sa më habiste dhe mua mendimi që mbante emrin tënd. Ti kam nisur mijëra herë në ditët që në çdo gjë që bëja të kisha konstant në mendje.
Mbi të gjitha të kam shtrënguar fort në përqafimin e mendjes sa herë binte shi jashtë. Më dukej sikur kishe më shumë nevojë se kurrë në ditët e ftohta e të shëmtuara, që as dielli nuk denjonte ti përkëdhelte. Të kam përqafuar aq shpesh me sy mbyllur e kur të kisha larg, sa dyshoj ta kem bërë kur të kisha afër. Por, sigurisht, ishte shumë më e thjeshtë të të përqafoja së largu, kur nuk të prekja krenarinë duke të ndjerë rrahjet e zemrës, kur nuk arrija të të lexoja sytë e të lija kështu paprekur kryelartësinë.
Ja, po bie sërish shi sot.
Po eci me një hap që nuk njoh. Është aq i ngadaltë, sa më duket sikur po ecën dikush tjetër në vendin tim. Unë jam mësuar të eci aq shpejt, sa të gjithë më kapin nga krahu për të më ngadalësuar. Sot jo. Sot po i përshtatem ritmit të qytetit, i cili për habinë time, duket sikur fle, si asnjëherë më parë.
Nuk di sa kohë mund të kishte pa parë qytetin aq të qetë sa sonte. Bie shi pa pushim. Por jo rrebesh, jo shi i rrëmbyeshëm. Bie një shi që i përshtatet këtij ritmit të pergjumshëm si asnjëherë të qytetit. Ndonjë makinë tek tuk, e ndonjë këmbësor i rrallë, që në ndryshim nga unë nxiton për të arritur në destinacion. Se ditët me shi janë bërë për të ndenjur në shtëpi.
Ndërkohë unë vazhdoja ecja ngadalë, pa shpejtuar hapin megjithëse i ftohti ndihej. Unë nuk doja të nxitoja. Unë shtëpinë e kisha prej mishi e shpirti, me dy krahë e dy këmbë. Në përqafimin tënd jam ndjerë shumë më shumë në shtëpi, se në çdo hapësirë rrethuar me mure e mbushur me mobilje. Shtëpia ime ishe ti.
Të ndjeja me vete. Sa e njohur, e në të njëjtën kohë, super e çuditshme si ndjesi. Mu rikthyen njëqind herët që kisha bërë të njëjtën rrugë me ty. Andaj e ngadalësova edhe më shumë hapin. Doja të qëndroja edhe ca me ty. Më erdhi timbri i zërit tënd, gjestet me duar kur flisje, shikimi që nuk më ndaje sa herë më tregoje diçka. Të mbaja në krahë në këtë rrugëtim pa destinacion.
As vet nuk dija se për ku ecja e ku shkoja. Këmbët e mia ndiqnin hapat e tua.
E zgjata, e zgjata, e zgjata atë ‘shëtitje’, e më në fund vendosa të marr një taksi. Isha mësuar aq shumë me mungesën tënde, ishte aq familjare të të përqafuarit në mendim, sa për pak harrova që unë tashmë e kisha një shtëpi. Trishtimi i mungesës ish bërë aq familjar sa për pak desh harrova që kisha lumturinë që më priste krahëhapur e me një gotë verë gati. Lufta kish zgjatur gjatë, dhe unë për pak harrova që kish mbaruar e kishim fituar. Shtëpia ime më priste në shtëpinë tonë, me siguri me filmin gati, dhe ushqimin e porositur.
Nisa të nxitoja për të gjetur një taksi.
“Mirëmbrëma!”
“Mirëmbrëma zonjushë! Për ku?”
“Për në shtëpi, të lutem. Në shtëpinë time!”
© AZ