
“…për të shpëtuar shpirtin tim!”
Jam duke u bërë gati për të dalë. Ndërsa shikoj si qëndron qeshur korniza që mban foton tonë në komodinën pranë krevatit. Nuk mund ta besoj që ajo që dikur kërkoja librave e fotove nëpër internet sot qëndron tërësisht e imja në dhomën që mban ende parfumin që hodhe para se të dilje në mëngjes.
Sillem nëpër dhomë, duke kërkuar librin, ti e di, rrëmuja është emri im i dytë. Dua të dal, të lexoj, e të shkruaj diku jashtë, nën diell.
Kam nevojë e dëshirë të shkruaj rrethuar me zhurmat e qindra historive. Dua të ndjej energjinë e të panjohurve. Dua tua lexoj historitë që ju dhembin, që i gëzojnë, që i trishtojnë, që i bëjnë të vrapojnë e luftojnë. Sot dua t’ja dedikoj ditën, të parës dashuri times, shkrimit. Asaj dashurisë që ti mësove ta duash po aq, asaj dashurisë që gjithmonë e respektove kaq shumë. Nuk di në ta kam thënë ndonjëherë, por hera e parë që të kam dëgjuar me veshë, e lexuar në sy, reagimin për shkrimet e mia, ka qënë ndoshta hera e parë që kam ndjerë se zemra ime kishte hedhur spirancën në tënden zemër.
Edhe sot, nëse të shoh gjatë në sy, më vjen të të hidhem në krah. Më duket sikur krahët e tu janë bërë për të më rrethuar mua, e koka ime gjen prehje veçse në kraharorin tënd.
Erdha tek ty thyer si kurrë më parë. Më dhe shumë më shumë se një dorë për të shtrënguar. Më dhe kohën tënde. Më pe teksa ‘sqarohesha’ me demonët në kokën time, pa ma lëshuar dorën. Ti e di mirë apo jo, demonët janë gjithmonë brenda nesh, e luftën më të madhe e kemi gjithmonë me veten, ndoshta prandaj edhe dashurinë më të madhe duhet t’ja japim vetes. Se veç ne e dimë në sa beteja i është dashur të luftojë për të arritur sot paqen.
Më kujtohet si më ndihmove të mblidhja copat e shpirtit që kisha shpërndarë ashtu copëtuar, duke harruar që pa to nuk isha më unë.
E ndjej si sot mbështetjen tënde, kur as vetja ime nuk më mbështeste më. Ndoshta ti erdhe vertet tek unë për të më shpëtuar nga vetja. Ti më rikujtove dashurinë ndaj vetes, duke më lënë të të shihja si më dashuroje ti mua. Akoma sot, nuk di ta them çfarë të bëri të qëndroje në ditët që unë nuk ja dija më ngjyrën dritës. Akoma sot, e kam të pazbuluar arsyen përse nuk ike në ditët kur dhe shpirtin tim nuk kisha arritur të mbaja.
Por, ti qëndrove, e bashkë me ty u zgjova dhe unë.
Sot dua të shkruaj nga ana ime e paqtë për trazirën në shpirtin e tjetërkujt. Se mua shpesh më kanë shpëtuar fjalët e të tjerëve, besimi i të tjerëve. Unë tek “të tjerët” kam frymëzimin, por unë shkruaj për veten. Ashtu siç i shtrenjti Teodor Keko ka thënë:
“…Dhe teksa shkruaj më mbushet mendja, se kësaj pune unë vërtet i kam hyrë për të shpëtuar shpirtin tim!”
E kur bashkë e mblodhëm të copëtuar, nëpërmjet fjalës e shpëtova. E kur me dorën tënde shtrënguar, u zgjova buzë humnere, nëpërmjet fjalës u kthjellova.
Nuk do rrija dot kaq e plotë përballë kësaj kornize që mban gjithë dashurinë që dikur kam ëndërruar, nëse nuk do e kisha parë aq qartë në sy boshllëkun.
Nuk di nëse nuk do ja kisha dalë dot pa ty, por jam e bindur që nuk do ja kisha dalë dot pa veten!
© AZ