
Deri në ‘asgjë’…
Të pashë sërish sot, por sërish ti nuk më pe. Nuk më doli zë të të thërrisja. Jo sepse më mungon dëshira të të takoj, por më mungon totalisht dëshira të të trajtoj si ‘asgjë’. Se nuk je.
Nuk mundem të të trajtoj si një i njohur që e vetmja e përbashkët që kemi janë rrugët e qytetit. Më duket sikur do të të gënjeja ty dhe veten mbi të gjitha, e nuk dua.
Kjo mania ime e sinqeritetit nuk ka për të më sjellë shumë gjëra të mira, por të paktën do të jenë të vërteta.
Sigurisht, që nuk kam dashur të jem këtu ku jam. Ndryshe do kisha dashur të shkojnë gjërat.
Do të doja të të kisha mbrojtur nga të gjitha ndjesitë që më kanë dhembur mua, por ja që nuk munda. Se nuk mund të ruash askënd, ama bashkë mund t’ja kishim dalë. Megjithatë, nuk kanë mbetur më shumë gjëra për të thënë. Imagjino, nuk më doli zë për të të thërritur. E po, unë nuk eci më drejt teje, ama ngriva në vend.
Se ndoshta drejt teje nuk jam në gjendje të vij, ama nuk qenkam as në gjendje të iki. Jam në purgatorin e një ndjesie që megjithëse më mbushi e në të njëjtën kohë më theu, emër nuk i gjeta kurrë.
Unë e kujtoj fare mirë momentin që mu thye zemra nga ty. Mund të ketë qënë një nga ditët që je sjellë më mirë se kurrë më parë. Më qeshe, më pyete plot mirësjellje në isha lodhur, si kishte vajtur dita. Po me aq mirësjellje më urove një vazhdimësi të bukur dhe ike. Unë isha ‘asgjë’-ja që ti nuk je akoma për mua.
Nuk the asgjë për të të marrë inat, nuk bëre asgjë për të të urryer a sharë. Qëndrove indiferent ndaj çdo gjëje më kishe ndihmuar të krijoja dhe mbajte larg çdo gjë mund të kishim ndërtuar bashkë.
Sot, të pashë, sërish, e ngriva. Nuk ka mbetur më asgjë për tu thënë, por ti nuk je akoma ‘asgjë’. Unë nuk jam akoma e zonja të jem thjesht e sjellshme edhe me edukatë me ty. Ti je ende ti, dhe shikimi im nuk mundet dhe goja ime nuk do të gënjejë. Kështu që, zgjodha të qëndroj ngrirë, e të mos e kërkoj zërin tim për të të thërritur.
Nuk di nëse quhet heqje dorë, kjo që po më ndodh mua.
Sepse unë ndjej krejt të kundërtën, sikur nuk po heq dot dorë nga ty.
Unë ndoshta do ti rikthehem mijëra jetë dashurisë me ty. Ndoshta kjo mos-dorëheqja ime është pikërisht se ne do duhet ta jetojmë në një moment këtë dashuri. E nëse e shtyjmë, ajo veç do rikthehet. Në mos nesër, pas një muaji, në mos pas një muaji, pas 3 vjetësh, e në mos ketë dekadë, në tjetrën, e në mos e arrifshim as këtë jetë, do ritakohemi jetën tjetër.
Ku ndoshta unë do rikthehem si goca me motorr që nuk i mungon kurrë një libër në çantë, që gjithmonë kam dashur të jem, edhe ti, djali me ëndrra shumë, e plane akoma më shumë për të realizuar. Ndoshta tek ajo jeta që do guxojmë të jemi gjithçka lamë frikën të gllabëronte këtë herë.
Lajmi mirë? Çdo pendim dhe pikëpyetje të kësaj tani nuk do i mbajmë mend tek ajo e lumturisë.
Lajmi keq? Çdo pendim dhe pikëpyetje të kësaj jetës tani, do të na shoqërojë dhe ca kohë.
Lajm shumë i mirë? KOHA është ilaçi më i mirë i çdo gjëje. Në mos e gjetsha unë ‘asgjë’-në, koha do e gjejë e do ma sjellë.
Deri në ‘asgjë’, ose deri në jetën tjetër, ishte padyshim dhe me plot gojën një kënaqësi!
©AZ