
“Shihemi nesër. “
“Të lutem më prit. Vonohem maksimumi 7 minuta.”
E lexova disa herë mesazhin. E të gjitha herët ndjeva zemrën të gufonte.
Kush ishe ti? Mbi të gjitha, kush kishe filluar të ishe ti për mua? Pse po më gëzonte kaq shumë fakti që mund të të takoja sërish?
Ja bëja vetes të gjitha këto pyetje, ndërkohë që pa kuptuar as vetë isha tashmë duke mbyllur derën e zyrës. Sa të zbrisja poshtë, ti do kishe arritur tashmë. Ti edhe minutazhi jot aq atipik. Më kujtohet sa qesha kur më the herën e parë që nuk vije kurrë orare me 5 ose 0 në fund, se të dukeshin gënjeshtër.
Ashensori mu duk vërtet i gjatë, ndërkohë që kisha 17 pyetjet në kokën time si çekan. Hyre aq papritur në jetën time me një ritëm krejt tëndin, e prandaj më bën kaq çudi të më qëndrosh kaq gjatë në mendime tani.
Dola jashtë, dhe u drejtova për nga rruga e përhershme. ‘E përhershme’? Qenkemi bërë me një rrugë të përhershme? Opa, ja u bënë 18 pyetje.
Të pashë nga ana tjetër e rrugës, e të ngrita dorën që të më shikoje.
“Pse erdhe?”
“Jo, jo, nuk u lodha shumë. Kalova mirë sot, faleminderit që pyete. Ti mirë?”
Fillova të qesh. Në rregull, unë dhe ‘ëmbëlsia’ ime, duhet të bënim ndonjë hap mbrapa ndonjëherë.
“Nuk është nevoja të jesh në sulm ose mbrojtje gjithë kohës. Mund edhe thjesht të jesh. Erdha se kisha dëshirë të të shihja dhe të kaloja pak kohë me ty. Nuk kishte asgjë tjetër që kisha dëshirë të bëja, përveç kësaj. Vlen si përgjigje? Mundem?”
Tunda kokën duke buzëqeshur.
” Ah, sa të shkon. Mos e humb asnjëherë. Për asgjë dhe askënd. Je plot diell kur buzëqesh, edhe tani, me gjithë mburojat e tua ngritur. “
Këtë radhë qesha, me zemër madje.
Nuk e di pse ndonjëherë e kemi kaq të vështirë ti pranojmë komplimentet. Megjithëse nëse do ma kishin treguar këtë gjë, pyetja e parë që do bëja ishte: “Dhe ti nuk e përqafove?!”, mua as nuk më shkoi në mend ta bëja. Përkundrazi, shtrengova çantën pas vetes, si për të pasur një arsye për të mos i lëvizur duart nga vendi.
Ti nise një bisedë aq normalisht, sikur të kishim një jetë që bënim të njëjtin ritual, sikur ishim secili aty ku duhej të ishim.
Gjeta veten duke të të numëruar çfarë më jepte kënaqësi e çfarë më bezdiste, të mirat e të metat, duke folur gjatë e lirshëm e qetësisht, megjithatë vazhdoja të kisha të 18 pyetjet në kokë.
“Shihemi nesër.”
Nuk e di se çfarë fytyre do kem bërë që e ndjeve menjëherë nevojën të më pyesje nëse kisha diçka.
“Nuk mundesh? Ke ndonjë plan?”
“Jo në fakt.”
E thashë nëpër dhëmbë përgjigjen, isha akoma e hutuar. Isha dukshëm e hutuar, dhe ti e kishe kuptuar tashmë.
“Në rregull, gjithsesi, nëse ke diçka pas pune, po kaloj në pushimin e drekës për një kafe të shkurtër. Gjithsesi, shihemi nesër.”
Më buzëqeshe dhe pa mi ndarë sytë asnjë sekond më përshëndete.
Papritur, gjeta të vetmen përgjigje për të gjitha pyetjet e mia.
Ishte shumë e thjeshtë me ty. Nuk ishte aspak e komplikuar.
Ishte aq thjeshtë, aq ngrohtë dhe aq bukur, sa premtimi i thjeshtë i të nesërmes.
Nuk kishte asnjë të fshehtë personaliteti im i komplikuar, ti e kishe kuptuar tashmë, ama megjithatë, pavarësisht, do vish sërish nesër. Ndoshta për të më mësuar që ndonjëherë gjërat mund të jenë edhe të thjeshta, ndoshta për të më treguar që jo për çdo gjë duhet të lodhesh, se ndoshta ndonjëherë ka gjëra që vijnë për të të përkëdhelur zemrën e jo për të të lodhur shpirtin.
Ndoshta.
Nuk e di.
Gjithsesi,
…shihemi nesër.
© AZ