
…mendojmë se kemi kohë.
Unë nuk prisja asgjë të jashtëzakonshme duke të të takuar ty. Do e mendoja kështu për goxha kohë, përpara se të kuptoja që çfarë vërtet më rreh në kraharor, kisha kohë që nuk ja dëgjoja zërin si në momentin kur të njohu ty.
Koha e duhur. Momenti i duhur. Mua nuk më intereson asnjëra nga këto në fakt. Unë di që ne jemi të duhurit, kështu që koha e momenti bëjnë mirë të përshtaten me këtë. Edhe pse, koha që zakonisht është plangprishësja e shumë dashurive, tek ne, ishte tifoze. Andaj boll u mundove të rregullosh akrepat e një ore, që askush nuk ta kërkoi ta bëje.
Nuk kam frikë që do të të humb unë ty. Unë të kam në mes të kraharorit, të kam në shikim, të kam në të qeshur.
Nuk kam frikë që do të më humbësh ti mua, se saç më ke ti, gjasat janë që unë nuk kam veten. Ajo që kam frikë është që do mësohem me mungesën tënde.
Çfarë rrezikojmë të humbin unë e ti, nuk është njëri-tjetri, është ajo që kemi kur jemi bashkë; është ajo që jemi.
Problemi është që ne mendojmë që kemi kohë.
As dje, as sot e as nesër nuk do të të kërkoj gjë. Ama unë e di çfarë dua. Dua dorën tënde shtrënguar me timen, dhe gjithçka tjetër do e shohim rrugës.
Dua të zbuloj çdo limit timin që ende nuk e kam njohur ndërkohë që ti i thërret në emra.
Bota sa vjen e rëndohet, e ndonjëherë një palë shpatulla janë pak për ta mbajtur, por kur ti vjen në krahun tim unë kujtoj që në fakt jam e pamposhtur. Të jap gjithë pushtetin që mundem, se dua, se nuk më minimizon, më bën të ndihem e pamposhtur edhe pse shpesh më trajton me brishtësinë e një fëmije.
Universi arriti të ndryshojë vibrimet e rrotullimeve të tij, që Toka ime dhe e jotja të takoheshin në të njëjtën shpejtësi, në të njëjtën kohë.
Nuk mundem e nuk dua të injoroj qiellin që përgatit çdo gjë që unë e ti të shihemi dhe kur nuk zgjedhim vetë ta bëjmë. Unë besoj në fuqinë që ka një minutë për të të ndryshuar jetën.
60 sekonda për të parë, 60 sekonda për të dëgjuar.
60 sekonda për ta nisur nga fillimi botën, atë tonën!
© AZ
27/06/2021