
E brishtë, si dielli.
Diellin mund ta fshehë edhe një re e vetme . E duket sikur mjafton një pëlhurë e lehtë për t’ja zbehur ndriçimin. Ama, ky planeti ynë nuk do të mund të ekzistonte as edhe një sekond nëse nuk do të ishte dielli.
Kjo është për ty.
Për vajzën që je dhe gruan që po bëhesh.
Kapello, mbesa, madama, nani, agapi, arkitektja, e tashmë CEO, janë të gjitha veç pak, nga çdo gjë që ti je.
Unë kam shkruar shpejt për ty, e në të njëjtën kohë nuk kam nisur ende, të shkruaj vërtet për ty.
Në këtë përvjetor BINGO, zgjedh të të uroj edhe kështu.
E çmendur, plot ngjyra, e ashpër, e dashur, e thjeshtë, e komplikuar, e fortë, DIELL, ti sot feston e bashkë me ty, të gjithë ne, që jetën na e bën më të bukur veç se je.
Uragan që çon gjërat në vend, përqafim që do të duhej të shitej në farmaci, e të tjera, e të tjera do fjalëzoja e shkruaja për karakterin shumëngjyrësh e personalitetin e papërsëritshëm që je.
Më mëson çdo ditë diçka. Më tregon çdo ditë se si mirësia e ndërton botën edhe në më të këqijat ditë. Më mëson se si buzëqeshja nuk është opsionale tek ty, por një gjëndje permanente.
Nuk ke lejuar asnjë humbje të të prekë sadopak dritën, përkundrazi, fort ke ushqyer kë ke mundur me paqe e mbështetje.
Po, të forta i ke nervat, si karakteri shumë shqiptar që të rrjedh në deje. Ti nuk merr zjarr, ti je vetë zjarri, ngroh, e zbukuron e po me të njëjtën forcë shkatërron.
Mund të funksionosh në situata që shumë ushtri mund të ishin dorëzuar, e mund të të thyejë zemrën, edhe një fjali e vetme e pamenduar. Me dashurinë e pakursyer e me tonelata që ja jep kujtdo bën lehtësisht dallimin si human e si qënie unike e këtij dimensioni.
Unë nuk do të mund kurrë të jem jo subjektive në çdo rrëfim e tregim për ty. Je prova ime e gjallë, që jetët lidhen mes shpirtrash e përtej dimensionesh.
Je përfaqësimi më i denjë i ekstremitetit të kostelacionit.
Shkon nga fëmijë në CEO, nga goca e babit në rebelen e rrugës, nga qiell i kaltër në stuhi detare në veç një fjalë a frymëmarrje.
…si dielli!
E fortë si dielli.
E dritës, si dielli.
Bujare, si dielli.
Gjithnjë aty, edhe kur nuk të shoh, si dielli!
Çdo gjë që ka tentuar të ta fshehë sadopak ndriçimin, thjesht është zhdukur si retë e qershorit. Ke mbetur pavarësisht viteve e ngjarjeve, e njëjtë në shpirt. Me zemrën gjithnjë në mëngë për ta luajtur në çdo dorë.
Sepse nuk ka rëndësi sa herë do ndryshojë moti, pavarësisht brishtësisë ndaj reve dhe shiut,
Ti je: E brishtë dhe e pamposhtur, si dielli!
Në këtë përvjetor plot gjëra për të festuar, kam veç një gjë për të të uruar:
Qofsh TI. Edhe për qindra të tjerë.
Të luash gjithnjë jetën, si në poker, ALL IN.
Gëzuar!
Me gjithë dashurinë dhe respektin ndaj personit tënd fizik dhe juridik,
AZ.
17/06/2020