
…e jona!
Vendos dorën në kraharor dhe të kam aty.
Më flet në çdo rrahje.
Shikoj veten në sytë e tu, e për pak nuk e njoh.
Më sheh kaq të bukur ti. Më sheh të paprekshme. Me sheh të fortë e në të njëjtën kohë më trajton me brishtësinë e një reje qershori, që edhe flladi më i lehtë mund ta mundi.
Nuk kisha nevojë të më merrje nga dora e të më tregoje rrugën. Jo ti, po askush. Herët kam mësuar ta mbaj vetë, timonin e anijes time.
Por, ti më bëre të kuptoj sa nevojë kisha për dikë që ma njihte forcën, e besonte tek unë, ndonjëherë më shumë se unë. Më bëre të kuptoj sa shumë nevojë kisha për dikë që të ma shtrëngonte dorën.
Të shikoj tani, tek sillesh nëpër shtëpi, se të ka humbur telekomanda dhe e kam gati të pamundur ta kujtoj jetën pa ty. Nuk arrij të sjell në kujtesë, se si e kisha imagjinuar jetën kur nuk të njihja ty, sepse më dukesh kaq në habitatin tënd.
Unë jam në kolltukun tim duke shkruar e lexuar, dhe të ndjej hapat që bëjnë zhurmë në parket, e më duket kaq normale.
Sikur unë e ti jemi krijuar e kemi bërë të gjithë rrugëtimin tonë, për të ardhur pikërisht në këtë moment.
‘E gjeta!’
Ngre kokën të të shikoj, je me telekomandë në dorë, me lumturinë e një fëmije që ka gjetur lodrën e preferuar, më buzëqesh e më shkel syrin. Qesh dhe unë.
I kthehem letrave përpara meje, e më vjen kaq natyrshëm t’ju them gjithë librave që kam lexuar, që unë e kam një libër tashmë. Dua t’ju tregoj që gjithë sa kam ëndërruar për librin tim të dashurisë, teksa i shfletoja, tashmë e kam. Është duke u sjellë në kuzhinë, seç po hap dollap e sirtare, duke bërë rrëmujë. Dua t’jua tregoj për të gjitha herët që më shoqëruan, kur ndonjëherë edhe kisha humbur besimin, që mund ta gjeja.
Ti ndërkohë më afrohesh me dy gota verë. Njërën ma le mbi tavolinën time, mezi i gjen një vend aty mes librave e letrave, më puth në ballë dhe ikën e ulesh në divan. Vendos këmbët mbi tavolinë dhe me telekomandën në dorë kërkon filmin e radhës.
Nuk arrij të kujtoj si kam imagjinuar e ëndërruar unë për shtëpinë time, por dyshoj fort të kem menduar që do ndjehesha kaq në shtëpi.
Kisha besuar gjithë jetën time në ëndrra dhe bukurinë e ëndërrimit, kisha besuar në lumturinë e librave, kisha besuar në magjinë e filmave që doja, ama u desh të vije ti, për të më treguar sa shumë më i bukur qenka realiteti!
Më ngjan shpesh vetja si ai krahasimi i librit me filmin.
‘Filmi nuk është kurrë aq i bukur saç është libri.’
E pastaj erdhe ti, dhe i the dhe librit dhe filmit të hapnin krahun, se ishte diçka që ishte shumë herë më mirë se libri dhe filmi marrë së bashku.
Ishin muret që mbanin brenda shtëpinë time dhe tënden. Për çudinë e shumicës, pothuaj e gjitha e zgjedhur nga ti. Unë vetëm këndin tim kam zgjedhur, dhe biblioteken sigurisht. Ama çdo ditë i shtojmë diçka të zgjedhur nga të dy!
Shtëpia ime
dhe
e jotja,
e jona!
©AZ