
…ja lamë kohës!
Kalova nga ‘rruga jonë’ sot. E si për ironi të fatit të pashë të kaloje rrugën. Për të vajtur në të njëjtin vend mendoj. Ishe me të njëjtin shok të ngushtë që të mbaj mend gjithë jetën. Për pak mendova që isha kthyer në kohë.
Që prej kur nuk të shoh më unë, mu duk sikur koha kish ndalur në vend.
Ti nuk kishe ndryshuar pothuajse fare. Ngriva në vend. Ndoshta pikërisht se e ndjeva veten në të njëjtën situatë si kohë më parë, prandaj edhe trupi reagoi krejt njëlloj. Mu drodhen gjunjët e zemra gufoi nga gëzimi.
Kisha menduar jo rrallë momentin që mund të të takoja sërish. Kanë kaluar kohë mjaft, megjithatë të të kisha sërish përballë, pas kaq shumë kohësh, nuk e besoja të lehtë.
Vendosa të kaloja rrugën e të vija të të takoja. Ka kaluar kohe, nuk ka kuptim më, të sillem si dikur.
Të erdha pas krahëve. Shoku yt më pa I pari. Ti i kuriozuar ktheve kokën për të parë.
Ja ku janë.
Ata sytë që dikur më komandonin humorin e ditës. Buzëqesh dhe më përqafon.
Përqafimi që dikur më merrte timonin e universit.
Në ato pak minuta folëm e bëmë sikur mund të permblidhnim e kuptonim ndonjë gjë për jetën e njëri tjetrit pas kaq kohësh shkëputur. Përqafohemi sërish, edhe më gjatë këtë radhë e largohem.
Sa gjëra kishin ndryshuar, e në të njëjtën kohë po aq shumë kishin mbetur në vend.
Unë e ti ishim rritur, ama sytë njëlloj i kemi.
Ti nuk ishe më nervoz e as unë nuk kisha aritmi kur të kisha përballë. Ama buzëqeshjen e kishim po njëlloj.
Ti ishe me të njëjtin shok të ngushtë, e mua e njëjta shoqe më priste në fillim të rrugës. Por, unë e ti nuk ishim më të njëjtët.
U largova me gëzim në zemër, megjithese po të lija pas krahëve. Eca e sigurt në rrugën time, megjithëse nuk te kisha përdore. Erdha sërish unë të të takoja e ti qëndrove në vend pa lëvizur.
Ta mendosh, sa shpesh kisha menduar, që asgjë nuk do ishte njëlloj duke mos të të pasur ty. Sa shpesh kisha menduar se si do mbushje plot ngjyra panoramën time.
Ajo kohë sot më duket krejt e huaj.
Ajo kohë në të cilën ti nuk ishe kurrë ‘diçka’, ama mu duke shpesh ‘gjithçka’.
Ajo kohë e shkuar, erdhi si një përkëdhelje në të tashmen time, si për të më kujtuar sa shumë, e sa fort, e sa bukur kisha besuar dikur në dashuri.
Ti erdhe sot si shenjë, si për të më zgjuar, si për të më kujtuar se si e shihja qiellin dikur, se sa rëndësi kishin yjet, sa më pëlqente të shkruaja.
Ika lumturisht përpara duke të të lënë pas, megjithëse në zemër të kisha në një cep që mbante emrin tënd.
Por, shikimi yt më kujtoi sërish forcën që ka zemra ime, si për të të shtrënguar në kraharor, ashtu dhe për të nxjerrë jashtë. Përqafimi jot më rikujtoi përse të mbaj ende aty. Të të kisha sërish përballë më rikujtoi gjithçka i mësova vetes duke të të jetuar ty, ashtu si munda.
Sa mirë që të takova sërish. Koha do e bëjë magjinë e saj sërish, e ndoshta herën tjetër që do shihemi, thjesht do përshëndetemi, ose sërish do perqafohemi, ose as do e njohim njeri tjetrin.
Gjithsesi koha do e tregojë. Ne nuk patëm guximin, as tani, për të vendosur mbi takimin tonë të radhës, kështu që, si në kujtim të gjithçkaje, sërish si dy frikacakë, ja lamë kohës.
©AZ