
Nuk më tremb dhimbja!
Vetëm kush di të thyhet në qindra copa, arrin të jetë i plotë .
Mos ju tremb dhimbjes time, megjithëse nuk është e thjeshtë. Kërkon forcë të madhe ti dalësh mbi. Çdo gjeje prej të cilës kam ngritur kokë, ka kërkuar guxim që as unë nuk e dija që e kisha.
Mos ju frikëso fuqisë që mbartin ndjesitë e mia. Janë tregues i të gjitha stuhive që mund ti dalë ballë. Çdo uragan e tornado që i kam mbijetuar e kam të shkruar në sy. Çdo gjë që sheh përshkruar aty janë histori triumfi mbi dhimbjen e frikën.
Mos ju arratis errësirës që njoh unë. Kam qëndruar në mes të saj me kokën lart duke bërtitur fort që shpirti im i përket dritës.
Ja njoh pushtetin e forcën errësirës, prandaj dua dhe e vlerësoj gjithë dritën që buron nga sytë e tu.
Kam dhënë shpirtin në çdo gjë e njeri që më ka dashur zemra. Kam rrezikuar të humb veten duke dhënë kaq shumë. Kam rrezikuar të bëhem copash. E jam bërë. Kam lënë copëza të shpirtit e të vetes pa e llogaritur e pa e ditur si do mbaheshin ato pjesë të miat të lëna ‘rrugëve’.
Edhe kur jam shkelur, edhe kur kam humbur, kam ditur të ngrihem dhe të ec ashtu, e paplotë, të vazhdoj rrugën e të kujdesem për veten, ashtu, duke çaluar. Kam dhënë dritën që ishte brenda meje për të ndriçuar errësirën në të tjera shpirtra.
Për asnjë moment e për asgjë nuk jam penduar.
Mua nuk më tremb dhimbja, më tremb mpirja.
Të gjitha këto më kanë sjellë sot këtu ku jam. Sërish, edhe qindra herë të tjera do merrja dhimbjen për dore e do vazhdoja të ecja. Jam thyer mijëra copash, kam ngritur qindra mure, e do ti kisha kaluar edhe qindra herë të tjera të tëra ato që do më sillnin sërish këtu, në këto koordinata gjeografike e shpirtërore, ato që do më sillnin këtë përqafim. Do ti kaloja sërish të gjitha, sepse mu deshën të gjitha ato për të kuptuar që ndonjëherë shtëpia nuk bëhet nga mure, por nga krahë.
Jam thyer aq herë e më duken të gjitha shenjat, e di.
Por, sot, qëndroj më e plotë se kurrë në qendër të botës time.
Qëndroj e plotë si kurrë më parë, përpara teje.
Me kokën lart, zemrën e fortë e shpirtin e PLOTË, krah teje!
©AZ
21-05-2017