
Xhungla e dashurisë
Vështirë është të gjesh dyer mjaftueshëm të hapura për të të pritur me gjithë bagazhet që tërheqim çdo ditë secili prej nesh. Dyshimet, dhimbjet, trishtimet, dilemat, pyetjet që i bëjmë vetes gjithë kohës. ‘A është gjëja e duhur?’ ‘Mos Po sillem keq?’ ‘A është mjaftueshëm?’ ‘Mos duhet të kisha bërë diçka tjetër? Të kisha thënë diçka tjetër?’
Të gjitha këto janë valixhe mjaft të rënda për tu tërhequr çdo ditë, gjithë kohës me vete.
E prandaj, shpesh, do donim të arratiseshim edhe nga vetja, e të merrnim frymë lirisht diku.
Të gjitha arratisjet e shpirtit unë ja kam borxh këtij qyteti. Të gjitha shplodhjet gjatë rrugës, mi ka bërë të mundura ashtu si një shoqe e mirë që të mban valixhet kur kthehesh nga një udhëtim.
Qyteti im është rrëmuja plot. Dëgjohet kaosi që në lindjen e diellit. Nuk ka rregull as në pallate e as në mjete e askund. Por, ky vend di të vejë gjithë rregullin e munguar në mendjen time. Me kaosin e tij vendos rregull në rrëmujën e zemrës time.
Ky qytet është fiks si ajo shoqja më e mirë që di gjithmonë çfarë të thotë dhe kur ta thotë, e si ta thotë. Ka vende plot pallate për ditët që nuk do të mendosh asgjë e të harrohesh në lartësi. Ka vende me pemë plot për ditët që të duhet të humbësh në mendime e të thellohesh brenda vetes. Me panoramat e tij të përditshme arrin të më përqafojë kur më së shumti kam nevojë.
Ky qytet që arrin të më kuptojë, shpeshherë, shumë më mirë se njerëzit.
Qyteti farmaci, që ka një ilaç për çdo gjendje.
Në këtë qytet gjen gjithçka e gjithkënd.
Ky qytet që i ngjan xhunglës për nga llojshmeria e ngjarjeve e specieve, ama i ngjan familjes për nga dashuria që jep. I ngjan asaj shtëpisë pa çelës, hapur për këdo që ka nevojë për strehë, që ka nevojë për mundësi, që ka nevojë për shpresë.
Në këtë qytet me ajrin thithet liri. Të jep ndjesinë që mund ti hapësh krahët sa të duash në kërkim të ëndrrave të mbetura pezull, duke luftuar për të kapur qiellin. Ka vend dhe për ëndrra të mëdha e për dëshira të vogla.
Gjen njerëz që do të merren me jetën tënde me shume se me te tyren për njëqind arsye pa kuptim. Ky qytet nga ana tjetër të jep njëqind e një arsye per të buzëqesh.
Ky qytet nuk merret aspak me asgjë që ti nuk ja jep. Nuk gjykon. Pranon çdo formë që ke vendos ta jetosh jetën, dhe për çdo formë hap krahët njëlloj, me të njëjtën dashamirësi pret çdokënd e çdo formë të jetës.
KY qytet që nuk pretendon të jetë asgjë që nuk është. Por, ky qytet di të jetë! Ashtu si një shoqe e ngushtë, duke të shtrënguar dorën e jo duke të të drejtuar gishtin.
Ky qytet ndoshta s’do më përkasë kurrë mua, por unë do i përkas përjetë atij.
© AZ