
Dy.
Unë jam gati për ty.
E pastrova zemrën, hoqa leukoplastet e lashë plagët të merrnin ajër, mjekët thonë që kështu shërohesh më shpejt. I shemba të gjithë muret që kisha ngritur rreth saj në mënyrë që të hynte drita e të pastrohej ajri. Pastrova pluhurat që lënë gjithnjë pas shembjet e mëdha, e lava edhe xhamat që të duket mirë ç’ka jashtë.
Ngjan sikur po tregoj punët e vitit të ri për shtëpinë; po zemra është shtëpi, e shtëpisë sime i hyn dielli tani.
E ke parasysh sa shumë mbrohet njeriu kur ka frikë ? Si mbyllim derën me shumë çelësa të mos na hyjë dikush, bëjmë gardhe, që ti mbajmë larg rreziqet?
Ndonjëherë në emër të mbrojtjes, në emër të kujdesit për të mos u bërë edhe më copash, gardhet i bëjmë mure. E një ditë, krejt rastësisht, kuptojmë që në fshehje paaftësisë për tu bërë të fortë, kemi mbetur të dobët veshur me mburoja.
Ashtu, plot mburoja të ashpra në dukje, e kisha rrethuar unë çdo gjë që mund të eskpozohej ndaj ndjenjës, plot mure. Ato mure janë ngritur plot dhembje, nuk mësova kurrë ti dua, ama zura rehat me to, e prandaj qendruan gjatë me mua. Por, nuk janë më. Problemi I atyre mureve që ngrihen për të të ruajtur nga dhembja është që nuk njohin emocion. Ata nuk të mbajnë larg veç trishtimin e thyerjen, ata të mësojnë të jesh ‘imun’ edhe ndaj të qeshurës e lumturinë, ndjen gjithçka me masë. Prandaj vjen një moment që rëndojnë e mbetesh veç para dy zgjedhjesh: Ti brendësosh e ti bësh mure shtëpie ose ti shembësh e të përballesh sërish me ndjenja. Unë zgjodha të dytën !
Të jem e sinqertë në fakt, nuk i shemba, I ‘zhbëva’. Hoqa çdo tullë, një e nga një, e me kujdes i vura në një cep. Nuk mund ti shembja e zhdukja sikur nuk kishin ndodhur kurrë, doja ti ruaja fort kujtimet që ruaj për secilën prej tyre. I kam lënë aty në një cep, e jam duke ndjerë tani çdo dhimbje, çdo gëzim, çdo dështim e sukses, jam duke përjetuar çdo ndjesi e emocion rreshtuar pas atij muri. Nuk mund të them nëse është proçes i bukur, por di që është i nevojshëm. Di të të them që marr frymë thellë shumë shpesh gjatë ditës duke i përsëritur vetes që do kalojë, sepse edhe pas atij ‘rehatllikut’ të gjatë të mureve, tashmë, pasi kam ndjerë sërish, them që më kishte munguar të ndjeja deri në dhimbje, të qaja deri në gjumë, e mbi të gjitha të qeshja deri në lot e të gëzoja deri në qiell.
Prandaj e di që jam gati për ty. Jam gati për të gjithë paletën e emocioneve që do sjellesh ti.
Do të të njoh menjëherë kur të vish, e di. Se të mos pasurit mure ngritur vërtet të bën të brishtë përballë thyerjeve ama edhe të hap fushën e shikimit, tashmë zemra mund të njohë atë që i duhet e ka nevojë.
Kam bërë një rrugë të gjatë për të qënë në këtë vend tani. Kam kaluar nëpërmjet më të vështirës luftë, asaj me veten ! Për të qënë këtu, në diell, duke ndjekur flutura e duke mbledhur lule, duke shijuar blu-në e duke numëruar yje. Po marr nga një lule edhe për ty tashmë. Do të ta tregoj një ditë të gjithë rrugëtimin tim të dy-shave mbledhur në këtë dimension. Dy duar për të zhbërë murin, dy krahët për të fluturuar, dy luledele, dy jetë, dy falje, dy dashuri; e para për veten, e dyta për ty !
E di që ti je rrugës, edhe po vjen sa më shpejt të mundesh, e uroj të jesh duke e shijuar rrugën per tek unë po aq sa unë po shijoj pritjen për ty.
Shihemi së shpejti !
© AZ