
Jemi bashkë në gjithë këtë
Jemi bashkë në gjithë këtë.
Kështu që kur të zemërohesh a nxehesh keqazi, mos mbyll telefonin, dhe mos përplas derën, por hajde dhe bërtit. Nxirr nga sistemi gjithçka të ka mërzitur apo prekur. Hajde dhe ma thuaj.
Ashtu siç vrapon në përqafimin tim sa herë diçka e bukur ndodh. Siç vjen me një tufë lulediellish për të më zbukuruar ditën, sa herë ndjen nevojën të më përkëdhelësh zemrën.
Me të njëjtin vrap, sill dhe nervat, me të njëjten forcë zbraz zemërimin.
Sepse jemi bashkë në gjithë këtë, jemi bashkë jo vetëm për gëzimin e lumturinë, por mbi të gjitha për luftën dhe mërzinë.
Jemi bashkë.
Do ketë ditë që nuk do duash të më shohësh me sy, ashtu siç mund të ketë ditë që unë do dua të të vras, por nuk do ikim. Nuk do vrapojmë për asnjë vend tjetër përveç tonës fole. Edhe nëse kjo do të thotë të qëndrojmë në të njëtin divan duke i kthyer kurrizin njëri-tjetrit. Ama do vazhdojmë të qëndrojmë bashkë.
Të jesh i bindur që do të të mërzis, ashtu siç unë e di që ti do më acarosh ndonjëherë. E ndoshta nuk do di të të kërkoj falje, ama me një përqafim kur nuk e ke mendjen, do të të them gjithçka që krenaria nuk do më lërë ta shpreh në fjalë.
Unë nuk besoj në përralla, ashtu si ty. Unë nuk besoj që dashuria e vërtetë është një fushë me shumë lule në një ditë me diell. Unë besoj që dashuria është stuhi, furtunë e ndonjëherë edhe luftë, ama ti je dora që shtrëngoj dhe unë jam dora që ti nuk lëshon, ti më ruan shpatullat dhe unë kujdesem për ty. Jemi bashkë në të gjithë këtë.
E dua gjithë vëmendjen e dashurinë që më dhuron në qiell të kaltër, por dashuroj çdo herë që vjen e përplasesh tek unë në ditët me shi. Sepse dua ta ndezim bashkë diellin mbi tonën çati.
Të kam mbështetje, andaj mos mi kurse nervat dhe mërzitë, më bëj pjesë të tyre siç më bën të gëzimeve. Premtoj që në heshtje do dëgjoj ‘ankesat’ dhe dhimbjet, ashtu siç ti je marrë me të miat llastime. Nuk dua të jem gjithçka për ty, dua thjesht të kesh sigurinë që do më kesh në gjithçka që do na duhet të kalojmë.
Asgjë e keqe nuk do na vijë nëse e themi dhe shprehim çdo gjë që na mban shpirti, përkundrazi. Do më kthesh arsyen kur të marrosem, ose do çmendemi bashkë nëse do duhet, ama bashkë do i kalojmë marrëzitë ashtu si kohët e qeta, me recetën tonë të krizave: një gotë verë, një buzëqeshje e dy përqafime.
Jemi bashkë në gjithë këtë, jo vetëm për të kaltrat ditë, por mbi të gjitha për ato gri!
©AZ