
Ma thuaj me fjalë
Nuk më janë dashur kurrë fjalët që aq fort i dua, pasi kam parë dikë në sy.
Ashtu siç më ndodh dhe me ty. Nuk më duhet të më thuash asgjë, e di kur je i lodhur, e di kur ke shumë gjëra për të thënë dhe s’je gati për ti artikuluar. E di edhe kur dita ka qënë shumë e shëmtuar për fjalë, dhe të duhet vetëm një përqafim që nuk flet. I di te gjitha këto, i kam kuptuar. Njerëzit që kanë shpirt si i joti, kanë sy që flasin, e tregojnë çdo gjë që goja nuk thotë.
Ama, fjalët vazhdoj ti dua njëlloj. Se fjalët ju përkasin guximtarëve. Fjalët nuk janë gjë tjetër veçse rrëfenja të syve, kur janë të vërteta e dalin nga zemra, sigurisht. Por, ti e di, unë s’do doja gjë tjetër veç të vërtetës nga ty. Të paktën ti me mua, e unë me ty, duhet të jemi të vërtetë. Nuk i detyrohemi asgjë njëri tjetrit, asnjë premtim të lënë pezull, andaj nuk kemi asnjë arsye për të arritur të gënjejmë.
Ma thuaj, atë që mendon, atë që të mundon, atë që të lodh, atë që të mërzit. Mi rrëfe dilemat, dhimbjet, e lumturitë. E të premtoj, që pas kësaj, pas fjalëzimit të të fshehtave që tregojnë sytë, diçka ndodh. Ngjan me magjinë. Kur fjalët artikulohen, dhe shpirti nxjerr në ajër si tinguj, ato që aq fort ka shtrënguar, ngjan shumë me lirinë. Me atë lirinë e bukur, që të dy ne e duam aq shumë.
Nuk është e lehtë të guxosh, e të bëhesh trim kur vjen puna tek zemra. E di mirë unë këtë. Po le ta provojmë njëherë, të dy bashkë, ta themi e ta flasim atë që deri tani jua kemi besuar syve.
Ashtu siç nuk është e lehtë edhe të guxosh deri në kufinjtë e çmendurisë, duke i besuar zemrën, motorrin e funksionimit dikujt tjetër, por ja që unë e kam bërë. Kam marrë kurajon e syve, duke thënë e ndjerë, edhe me fjalë, çdo gjë që ta kisha besuar tashmë në përqafim.
Provoje dhe ti…
Mi rrëfe dhe mua, të fshehtat që po të tregojnë sytë…
Ma thuaj me fjalë rrëfenjën e dashurisë, që sytë e tu ma kanë besuar mua!
©AZ