
5 minuta
Hajde ulu pak këtu me mua…
Nuk do të të flas gjatë, thjesht dua të ndjej që ndajmë të njëjtin ajër, qoftë edhe për pak.
Dua të më dëgjosh heshtjen, e të më kuptosh mungesën e reagimit e shikimin e përhumbur.
Ti e di, unë kështu jam. Kam nevojë për ‘time-off’ herë pas here. Të harrohem në mendime.
Por më duhesh në krah edhe në këto momente hallakatje nga realiteti, se më kalon shpejt.
Dua të të kem kur mendja më udhëton në Universe paralele.
Më rikthehet vëmendja shpejt e dua ta nis me tëndin përqafim. Dua të ta dedikoj ty të parën buzëqeshje që kam pas shkëputjes nga realiteti. Dua ta shijosh paqen time, pasi më ke shoqëruar në kaos.
Hajde ulu 5 minuta, sa të më kthehet dëshira, sa të më kthehet energjia, sa të më kthehen fjalët.
Por, nëse s’mund të rrish për gjatë. Vetëm 5 minuta qëndro këtu me mua.
E ndoshta kur të ngrihemi që këtu mund të marrim të tjera rrugë, rrugë që nuk priten me njëra tjetrën. Ndoshta do kalojë kohë para se të shihemi sërish unë e ti. E ndoshta kur të shihemi do më jenë larguar të gjitha ato fluturat në stomak, e dobësimi i gjunjve e shpeshtimi i ritmit të kraharorit.
Ama, atë shikimin e di, do të ta dua njëlloj fort.
Edhe për përqafimin e di. Etalon matës do e kem.
Shumë gjëra mund të kenë ndryshuar në takimin tonë të ardhshëm, unë e ti mbi të gjitha. Mund të jemi rritur a plakur, mund të jemi pjekur a djegur, mund të jemi lumturuar a ndoshta thjesht do kemi mësuar të qeshim më mirë.
Shumëçka mund të ndodhë kur të ngrihemi që këtu. Mund të duhemi marrëzisht pas kësaj, a mund të përshëndetemi.
Keshtu që, hajde ulu këtu me mua për pak. E pastaj? Pastaj, siç thotë një mikja ime: “Der’ atëherë, shumë gjana munden me ndodh!”
Hajde ulu 5 minuta. 5 minuta për të marrë frymë thellë e lirisht me një dorë që shtrëngon, me një shpirt që flet, me një heshtje që tregon.
5 minuta nuk janë asgjë, kalojnë shpejt, e në të njëjtën kohë, 5 minuta për ne, mund të jenë gjithçka!
©AZ