
Koha matet ndryshe në aeroport
Kushdo ka qenë një herë në aeroport për të shoqëruar dikë që ikën, e kupton shumë mirë çdo ndjesi që ai vend sjell. Unë mendoj që dashuritë më të mëdha dhe të vërteta i kam parë sa herë kam shkelur atje, sa herë kam qëndruar në zonën që njerëzit përshëndeten, dhe sa herë kam hedhur sytë aty ku priten.
Në aeroport nuk gënjen dot, përqafimet, sytë e lotuar, çdo gjë tregon për atë që pret ose përcjell. Në aeroport nuk ka vend për shtirje, është një vend po aq i vërtetë sa edhe rixhiditeti i orareve të tij.
Kur ikën vet, mbetet më i lehtë se sa kur mbetesh aty në një përqafim që duket gjithmonë i lënë përgjysmë.
Kur ikën vet, thua Mirupafshim, dhe gati menjëherë, nis të mendosh ca do të të presë, ankthi i rrugës, si do të të shkojnë gjërat. Është më e lehtë kur ikën.
Kur të përcjellin, ti merr shumë përqafime, duke dhënë vetëm një për secilin që mbetet aty.
Ama kur përcjell, kur mbetesh aty ndërkohë që dikush vazhdon të të përshëndese me dorë, duket sikur diçka ikën, me atë vulosjen e pasaportës, bashkë me atë ‘rrugë të mbarë’ të marrin dhe një copë të shpirtit.
Kështu ishte kur ike ti te paktën. Sa herë ikja unë, gjithmonë ty të përqafoja të fundit, ty ti lija ‘porositë’, ty ti besoja fjalët e fundit. E kështu bëre dhe ti. Në atë përqafim që shtrengonim dhëmbët për të mos qarë, se ne ishim të forta, se duhet t’ja bënim me të lehtë njëra tjetrës, në atë të fundit përqafim që koha nuk mjafton kurrë, ama nga ana tjetër ka gjithmonë kohë për edhe një të fundit përqafim.
Fjalët që thuhen përpara asaj të fundit ‘Mirupafshim’, janë ndër më të shtrenjtat premtime, janë fjalë që mbajnë pesha të rënda, dhe përgjegjësi dyfishe.
Përqafimet që jepen në aeroport kanë pushtet që nuk ju njihet ndryshe, janë përqafime që tregojnë gjithë rëndësinë e çka qenë deri në atë ditë, dhe premtimi që do vazhdojë të jetë po njëlloj pavarësisht gjithçkaje. Përqafimet e aeroportit janë ‘Do jem aty sërish dhe gjithmonë’.
Ne aeroport asgjë nuk është e thjeshtë, ama është e vërtetë. Është si një pjesë neutrale e realitetit që nuk ka gënjeshtra, sepse tashmë nuk ka më kohë për të gënjyer. Fluturimi që shumë shpejt do niset e do marri me vete atë copë të shpirtit që do behet I plotë sërish, vetëm kur të gjendesh në anën përballë, sërish në pritje të të njëjtit përqafim, në atë që është rilindas e plot shpresë, në atë që të kthen buzëqeshjen, që të ngroh zemrën e shpatullat.
Sepse ka vërtet disa njerëz që kurdo të ikin e vijnë, do mbajnë vendin e tyre të paprekur. Ka disa njerëz dhe je ti. Ti je klasifikim me vete, me shumë se me e mira shoqe, je e pandërgjegjshmja që njeh kohën e zemrës, e di të ta sjell çdo gjë butë, me dashuri dhe forcë për ti bere ballë. Je kurajoja që vjen në ditë të vështira.
Përqafimi i aeroportit me ty, nuk do ishte kurrë mjaftueshëm i gjatë, ama përqafimi i aeroportit me ty ka afat të pacaktuar, ashtu si siguria që përcjell dhe ti.
Koha matet ndryshe në aeroport.
Në aeroport ora ndalon dhe nis sipas të takimit të vajtjes dhe të kthimit. Në aeroport koha matet me zemër e jo me orë.
Herën tjetër që do vij të të marr do më duket sikur kam thjesht dy orë nga hera e fundit që të kam lënë. Koha matet ndryshe në aeroport, është ashtu siç e masim ne të dyja, nuk ka rëndësi sa njësi matëse të kohës kalojnë ne mbesim në të njëjtin vend, tek ai përqafimi që nuk mbaron, tek ato fjalë që thuhen edhe me sy. Ne mbetemi në momentin që themi ‘Mirupafshim’, e rinisim tek ‘Mirë se vjen’.
Deri në përqafimin tjetër, pa kohë!
©AZ