
Universi përballë asgjësë
Ti je ndër ata njerëz që vijnë kur universi do të të bëjë një dhuratë.
Ti je përkëdhelja e natyrës për dikë si unë. Vjen plot dashuri, e pa teka e naze. Ti përqafon e shtrëngon pa pritur asgjë në shkëmbim. Ti dashuron ashtu bukur, ashtu thjesht, pa komplikime, pa lodhje.
Ti nuk pret nga unë asgjë, veç jep, e qëndron aty, sërish pa kërkuar, sërish në heshtje.
Nuk ke premtuar asnjë përrallë, nuk ke premtuar asnjë film e asnjë libër, ke premtuar veten. Ashtu, pa doreza, pa shtirje, ashtu me shpirt të pastër siç vetëm ti mund te jesh. Në formën tende unike që mëson shumë shpejt ta fusësh në zemër.
Më thua shpesh: Shumica e njerëzve presin gjithë jetën për të gjetur atë që ju vë shpirtin në qetësi, unë kam fat që të kam gjetur shpejt.
Të shikoj me sy të habitur sa herë ma thua. Se ti më shikon të bukur, e të magjishme, e unë gjithmonë çuditem. Është ai momenti që ti thua: Je bërë si ajo kënga, dhe ti duhet të marrësh sytë e mi për të parë veten, se shikimi jot është trullosur me kohë.
Nenqesh.
Ah zemër! Shikimi im është trullosur, kthyer kokë poshtë, errësuar, aq herë sa ndonjëherë unë habitem si akoma funksionon.
‘Më ka humbur drita në sy.. ‘ të thashë një ditë.
Qeshe. Më more dorën, më terhoqe drejt vetes e më mbajte gjatë atë ditë në përqafim. Si duket ja kisha patur nevojën, se sikur mu lehtësua frymëmarrja pasi u shkëputa.
‘ Aty është, aty. Ka drita që nuk shuhen kurrë, mbulohen herë pas here me ndonjë gjë, e duket sikur humbin, por në fakt aty mbesin. Edhe dielli mbulohet nga retë, po kurrë nuk vë në dyshim forcën e dritës së vet. ‘
Janë të rrallë njerëzit që dashurojnë në këtë formë. Duke dhënë shumë nga vetja e duke mos pritur asgjë. Që dashurojnë ndjesitë e bukura që përcjellin njerëzit, që besojnë në atë të brendshmen pavarësisht sjelljeve shpeshherë edhe të shëmtuara.
Ti thua gjithmonë: ‘ Për çdokënd ekziston dikush që do ja kuptojë të gjitha çuditë, që do ja marrë vesh të gjitha rrëmujat, që do ja vër në vend të gjitha paqartësitë. Për secilin nga ne. Me beso!’
Nuk e di nëse mundem ta besoj këtë gjënë, ama më mahnit gjithnjë e më shumë durimi yt, më mahnit se si qëndron ashtu, aq plot mirësi përballë asgjësë së madhe që merr në shkëmbim.
– ‘A ka mundësi që ne të gjithë të jemi kaq të llastuar e të na pëlqejë viktimizimi sa të mos dorëzohemi përballë përkëdhelive të universit, por të vazhdojmë të qëndrojmë atje ku nuk marrim asgjë? Se në këtë formë kemi vërtet arsye për tu ankuar?’- e thashe si me gjys zëri, mendimin që po më kalonte në kokë, me shikim ashtu përhumbur përtej xhamit të lokalit që ishim ulur.
– ‘ Jo. Ne thjesht kemi frikë. Frikë nga lumturia. Frikë nga një emocion aq i fortë, sa zemrën që garanton jetën në trupin tonë t’ja falim dikujt tjetër. Kemi aq frikë nga kjo, dhe ikim, largohemi, I shmangemi. Ja, pak a shumë si ty. Po të ka rënë keq me mua, se unë kam ndërmend të të pres. Deri kur ti të jesh gati ta lësh veten të të përkëdhelin. Deri kur ti te jesh gati për një dashuri të bukur. Unë do të të pres.’
Qesha. Ktheva kokën të të shikoja. Ti tashmë ishe në drejtimin tim. Qesha edhe më shumë.
Psheretiva.
Ula kokën dhe vazhdova të qeshja.
Ti paske për të pritur, ti paske për të MË pritur…
©AZ