
Buzëqeshjet me arsyen pa emër
Je kthyer në mallin pa emër. Jo droga, megjithëse dhe atë emër mund ta mbash mire.
Ndoshta nuk bëhet fjalë për ty. Bëhet fjalë për gjithë ndjesitë që ti përcjell. Për ato me merr malli, atyre jua ndjej mungesën.
Ahu, lëmsh më ke bërë, ose jam bërë, më saktë. Po unë kam dobësi për rrëmujën e kaosin në fakt, gjithmonë më kanë pëlqyer mbi qetësinë.
Ndoshta prandaj dhe me merr malli kaq shumë, për gjithë këtë rrëmujën që më fal, për gjithë këto buzëqeshjet me arsyen pa emër. Më shumë me merr kur e di që nuk ekziston asnjë mundësi të të ndesh diku nëper qytet. Këtë qytet që kam nisur ta dua më fort akoma që kur kam mundësinë të të ndesh edhe ty rastësisht në rrugët e tij. Megjithëse kurrë s’te kam ndeshur rastësisht, thjesht ideja e mundësise e bën më të bukur.
Do të të kisha dashur si askush.
Jo se unë kam diçka të veçantë, por se të dy bashkë do të mund ta kishim pasur. Më mjaftonte të të shikoja dhe se si qeshnim sa herë shikimet rastësisht na kryqëzoheshin për të kuptuar që do të ishim kuptuar. Është bukur që kur sytë kërkojnë dikë të gjejnë dy sy në po të njëjtin drejtim. Është sikur sytë te kenë vendosur tashmë atë që veprimet se kanë bere.
Megjithatë, çdo gjë ndodh për një arsye. E ndoshta dhe ti ke ardhur për një arsye ne jetën time, por jo për të ndenjur. Por, nuk ka problem. Nuk është se jam njeri pozitiv, unë jam nevrike, acarohem, nuk qesh shumë, kam atë damarin në mes të ballit, por pavarësisht të gjitha këtyre këtë histori e kam parë me sy të qeshur. Këtë histori që nuk e fitoi kurrë vërtet emrin histori, pikërisht këtë ‘gjënë’ une e kam dashur fort. Përse-në akoma nuk e di. Ndoshta për shkak të pozitivitetit që surrati jot më transmeton. Ndoshta prandaj dhe të kam kaq xhan.
Sigurisht, çdo gjë që mbetet në kufijtë e fantazisë dhe përrallës ka tendencën të ngjajë magjike dhe të nxisë ndjenja pozitive.
Ajo që mua më ka bere te te kem ty kaq Special, është se të kam menduar në situata reale, të kam parë e vendosur në situata të përditshme e ashtu kam filluar të të kem të veçantë.
Jo në “Na ishte një herë” , por në “Çfarëdo qoftë, kurdo” !
©AZ