
Dita Nderkombëtare Kundër Dhunës ndaj Gruas
Nuk e kam kuptuar kurrë përse ekzistojnë ditë të tilla. Më duket deri-diku hipokrizi, kjo propagandë e madhe 24-orëshe dhe pastaj gjithçka I kthehet normalitetit.
Gjithsesi, unë nuk jam feministe, se kam quajtur veten ndonjëhere të tillë, ndoshta se jam akoma e vogël, me kalimin e viteve do bëhem mbrojtëse e vërtetë e “llojit tim”.
Në këtë ditë, unë dua të flas mbi gratë e vendit tim…
Unë vij nga një vend I vogël në juglindje të Europës. Unë jetoj në një vend që është pjesë e NATO-s, e vendi im ka statusin kandidat për tu bërë pjesë e Europës Madhe…
Në vendin tim ka 1734 shoqata për mbrojtjen e të drejtave të gruas, ca financohen nga fondacione, e ca financohen nga qeveria, e ca financohen kush-po-pyet-nga-se, dhe I sheh nëpër televizione duke mbajtur fjalime prekëse dhe motivuese, dhe kur je në anen tjetër të kutisë magjike, mendon: “Sa punë të mirë po bëkan!”
Por, në vendin tim që ndodhet në mes të Europës ka vende shumë të bukura, ca prej tyre rrethuar nga male, ka akoma kulla. E vërteta e hidhur është, që kur jeton në mes të kryeqytetit je larg shumë gjërave dhe shumicën që dëgjon nëpër lajme të duken pjesë të një realiteti që s’të përket ty.
Për arsye akademiko-profesionale, dy vite më parë unë kam bërë një stazh në Burgun e Grave në Tiranë. Për 8 muaj me radhë kam qënë me to, I kam dëgjuar historitë e tyre. Sigurisht, si çdokush unë kisha pritshmëritë e mia, dhe ca ide se si do të zhvilloheshin bisedat e mia me to, dhe cila do të ishte qasja e tyre karshi meje. Për fat të keq, më shumë se gjysma e tyre, ishin në atë vend për shkak të vrasjes së bashkëshortit, ose e thënë më saktë për shkak të vrasjes së agresorit.
Kur flasim për agresor,flasim për një individ që rrahjen e partneres e ka pjesë të vakteve të ngrënies, flasim për një individ që nëse gjella ka shumë kripë, është arsye e mjaftueshme dhe legjitime që bashkëshortja të rrihet!
Unë kam qënë përballë grave 45 vjeçare që dukeshin pa frikë 60, kam qënë pqrballë grave që nuk kishin asnjë dhemb në gojë se “një gjë”(se për mua nuk meriton asnjë emër) e kishte pjesë të axhendës ditore rrahjen e gruas tij. Dhe vjen një moment pastaj që njëriu thotë “dy duart për një kokë janë!” dhe shpëton veten! Sigurisht, vrasjen nuk e justifikon asgjë, por në fund të ditës ne jemi kafshë me instikt mbijetese, dhe ato gra, zgjodhën të mbijetojnë!
Dhe po, ato ishin të penduara, ishin të penduara sepse kjo I kishte shkaktuar humbjen e lirisë, ishin të penduara se nuk shihnin fëmijët, apo në ndonjë rast, fëmijët edhe nuk ju flisnin fare.
Ka gra në vendin tim, që nuk e dinë se ça është 8 marsi, apo Shën Valentini. Ka gra në vendin tim që këto festa ju duken aq të huaja, sac më duken mua, vajzës kryqytetit, historitë e tyre. Mua, më është dukur vetja shumë e vogël përpara atyre grave, deri-diku dhe injorante. Ato janë pjesë e një Kulture krejt tjetër, e një jete që duket e një kontineti tjetër, e në fakt është pjesë në të njejtin 28.748 km2 që jam dhe unë.
Sepse, paska ca vende në vendin tim, që është turp me u anku që të rreh burri, se në fund të fundit, të gjithë burrat e bëjnë. Pyetjes time: Po ti nuk u ankove diku? Nuk e denoncove? I vinte shpesh përgjigja: Po, jo moj, se të gjithë burrat rrahin, po ai I imi ishte shumë I dhunshëm.
Këtu, unë ngrija! Të gjithë burrat rrahin?! Domethënë babai im që thoshte: Nuk preket me dorë femra! Nuk vihet dorë mbi femër, ça ishte? Apo gjyshi im, që dhuna më e madhe që kishte ngritur mbi ime gjyshe, ishte zëri I ngritur një oktavë me lart?
Edhe mua, mu desh të isha pranë tyre, me to, të flisja dhe ti dëgjoja, për të kuptuar, që e vetmja gjë e përbashkët e vendit tim, dhe vendit të tyre ishte pashaporta. Se në thelb jetonim në dy vende të ndryshme, në dy vende me legjislacione të ndryshme, në dy vende me kushtetuta të ndryshme.
Më e frikshmja, më e shëmtuara e gjithë kësaj eshtë trashegimia.
Shumica e atyre burrave që rrahin gratë, e kanë marrë teksa shihnin nënat e tyre që gjakoseshin në drekë, e në darkë shtronin me kujdes tavolinën, dhe krevatin që gjithçka të ishte siç e donte burri.
Shumica e burrave që rrahin gratë, kanë me rrit djem që mendojnë që rrahja e gruas është mëse normale, që ajo duhet me I shërby, që ajo duhet të bëjë çfarë ti thotë AI!
Shumica e atyre burrave që rrahin gratë, kanë me rrit vajza që mendojnë se është normale me të rrah burri, e është turp me u anku.
Ditë të tilla ndërkombëtare, nuk janë për ato që dhunohen ditën me diell, janë për ato si mua, që shoh televizor, e që pi kafe, që më është mësuar që burri nuk është perëndi, po shok dhe bashkëudhëtar. Unë dhe shoqet e mia, dimë ça të bëjmë nëse burri na ngre dorën. Ditë të tilla janë për mua, që po shkruaj plot rehati nga divani I shtëpisë, edhe pse enët janë akoma pa larë. Por ka edhe një realitet tjetër…
Ky është realiteti I sëmure, I frikshëm I një pjese të mirë të vendit tim, I asaj pjese që nuk e sheh dot deklaratën e atyre 1734 shoqatave në Pasditen e Rudina Magjistarit, apo nuk I lexon dot deklaratat plot motivim dhe forcë të Dalina Buzit, se ato janë me kokë në kuzhinë duke larë enët pa zhurmë, se zhurma e nxheh burrin, e nëse burri nxehet, ty s’të mbetet veç me u lut, që ta shohësh dhe nesër dritën e diellit, veç me u lut që të mos e ketë dorën e rënde.
25.11.2014
©AZ