
Për çdo herë që u thye
Hë budallaqe. Prap ti? Po këtë radhë përse? Çfarë të theu sot? Një gënjeshtër? Është më keq se kur të thyhet nga e vërteta apo jo. E di. Hajde se do kalojë. Do iki shpejt dhe kjo. Unë e di që ti e di. Unë e di që ti je bërë aq ‘e fortë’ sa as dhimbje nuk shpreh më sa herë thyhesh. Ke mësuar ta maskosh aq mirë, as askush nuk arrin as ta kuptojë kur të ndodh.
Por unë kam frikë për ty…kam frikë se sa herë e ngjit materialet I bën më të fortë se të njhere më parë. Nga një mur të ngritur rrotull do kthehesh ti vet në mur. Dhe kjo do ishte çmimi më i shtrenjtë dhe I shëmtuar që mund të paguajë dikush sepse donte shumë dhe jepte shumë.
Thonë që disa njerëz vlejnë mjaftueshëm për t’ju dhënë aq shumë nga vetja sa të rrezikosh edhe këtë. Une nuk isha gati të ma thyeje zemrën ti, ashtu siç nuk është kurrë gati askush të ketë zemrën te thyer.
Po këtë radhë ishte ndryshe, ose thjesht unë jam rritur. Këtë radhë jam e lumtur që ishe ti. Sepse ti më ke bërë te buzëqesh në një formë që unë e kisha harruar. Nuk e di sa vite kisha, që nuk ndjeja sigurinë dhe ngrohtësinë që kam ndjerë në përqafimin tënd. Nuk do e harroj kurrë atë ditë që kalova aty, ti më takove, më përqafove dhe më puthe tek balli dhe më shtrëngove afër vetes. Ndjesia se në atë moment nuk kishte asgjë që mund të më ndodhte. Ti ishe aq i sinqertë në përqafim saç jam unë në këtë rrëfim. Dhe nuk më gënjeve, në asnjë moment. Përkundrazi, në shumë forma më ftove të ‘largohesha’. Nuk më ke dhënë asnjë ndjesi që nuk dua ta mbaj mend, përtej përkëdhelive dhe llastimeve. Edhe këtë të fundit, këtë zemrën e thyer, këtë dhimbjen budallaqe.
Sikur ti ta dije sa i mire je, me siguri do e trajtoje dhe veten shumë më mirë. Për momentin une do mjaftohem që më trajtoje mua mire, dhe ashtu me format që unë di do distancohem sa të marr veten, sa të kem sërish fuqinë të të flas normalisht për të të mbajtur në jetë ashtu siç je i gatshëm të jesh.
Deri atëherë, ka qenë një privilegj të më thyhej zemra nga ty.
21.11.2016
©AZ