
Letër vajzës që dua të kem një ditë
E shtrenjta ime,
Kur ti të vish, do kenë kaluar mjaft kohë nga kjo letër, e unë do të ta lexoj, për të të treguar sa të kam dashur që pa ta ditur ende ekzistencën.
Po të shkruaj këtë letër për të të thënë që bota që ti do të vish është një vend I madh, plot me gjëra të bukura dhe të shëmtuara. Ti qëndro tek e bukura zemër.
Është një vend që ka rrugë e zgjedhje të vështira e të lehta për një grua. Ti zgjdh ato që I flasin shpirtit tënd të kristaltë.
Është një vend që ka shumë rrëmuja, por më ngjaj mua këtu, dhe duaja kaosin universit, e përshtate atë sipas ritmit të zemrës tënde.
Shijoji jetës çdo gjë që të sjell në pjatë, edhe të keqen, edhe të vështirën, se ato do të të rrisin e do të të bëjnë më të fortë. E kur ti kesh kapërcyer pengesat, do të vish me kokën lart e do të më thuash: “E pe mam, kesaj ja dola!” Dhe unë do të të buzëqesh për të të thënë që unë e dija.
Unë nuk mund të të garantoj shumë gjëra, megjithëse do të doja të ta shtroja me luledielli çdo centimentër tokë që do shkelë këmba jote. Por do të të garantoj një gjë, që është e padukshme për syrin, por që bën të mundur jetën, DASHURINË. Do jesh e rrethuar nga shumë shumë dashuri. Do gjesh teze plot, që do gëzojnë njëlloj me mua për ardhjen tënde. Secila prej tyre do të të mësojë diçka ndryshe. Ashtu siç më kanë mësuar dhe mua. Dikush forcën, dikush këmbënguljen, dikush që të mos heqësh dorë, dikush vetbesimin e dikush që të punosh gjithnjë fort për atë që do, se me punë e veç punë zemra ime, do arrish të bëhesh një grua e suksesshme. Do të të marrin të dielave me radhë, ndonjëra do të të gatuajë e ndonjëra do të të çoj në fast-food, ndonjëra do të të lërë të hash akulore e çokollata pa limit, ama të gjitha do të të japin shumë dashuri e mbështetje.
E me to e vogla ime, ti do të mësosh sa të rëndësishëm janë miqtë, se si të bëhen familje, si të bëhen krah kur ke nevojë të fluturosh, e si të tërheqin kur duhet të ulesh me këmbë në tokë.
Unë sot të kërkoj veç një gjë. Qëndroji e vërtetë vetes, mos e shkel dhe mos e keqtrajto. Mbaje kokën lart, e mos dysho në asnjë moment që ti meriton çdo gjë të bukur që kjo botë ka. E do ta marrësh. Do ta marrësh se do luftosh, se do e duash, se do e bësh të mundur.
Nuk do të mund të të ruaj nga gënjeshtrat e zhgënjimet, por mund të të them që asnjë prej tyre nuk do zgjasë gjatë. Që lumturia dhe mirësia e dashuria triumfojnë mbi gjithçka. Veç ji e mirë shpirt. Mundohu që zemrën tënde të artë ta japësh pa hile, e kur të të kthehet e thyer, prapë bashkë do e ngjisim dhe do ja nisim nga fillimi. Nëse frikësohesh, ma thuaj, e unë do të të tregoj sa bukur është ta japësh zemrën, e sa bukur do jetë kur ta marrin njerëz që në të njëjtën kohë të japin të tyren.
Shpesh do duash të qash e bërtasësh, bëje! Nxirre nga shpirti çdo gjë negative që të mblidhet aty, e kur të lindi dielli dhe ti si luledielli ngri kokën e vazhdo para.
Ji e drejtë dhe e sinqertë! Mos bëj keq! Mos gënje, të lutem. Sidomos veten. Bëj të mundur ti dalësh gjithmonë e qeshur pasqyrës, se ajo dhe vetëm ajo që sheh në pasqyrë do jetë gjykatësja jote më e madhe.
Qesh! Bëj miq! Dashuro! Lufto dhe mos u dorëzo!
Nëse bota s’të vjen aty ku e do ti, shko, merre dhe ktheje siç të duhet, pa prekur kurrë askënd në kallo.
E pastaj hajde tek unë dhe sërish më thuaj: “Ja dola edhe kësaj mam!” E unë sërish do buzëqesh, se sërish do e di!
E kurdo të të duhet një dorë, krahët e mi janë të tutë.
Të do mami shumë.
10.11.2016
©AZ