
Të jesh grua
Të jesh grua në këtë kohë nuk është e thjeshtë. Ka pak rrugëdalje.
Mund të zgjedhësh të jesh gruaja e dikujt, ose kurva e dikujt (lexuar diku këtë). Nuk është rastësi që ‘dikujt’ mbetet njëlloj. Mund të jetë i njëjti njeri që ka një grua dhe një dashnore. Por, nuk e keni idenë sa djalë i mirë është ëë.
Të mos keqkuptohemi, ai nuk donte. Po ja, gruaja e tij nuk kishte më kohë të bënte tualet parukerie përditë, e ruante për fundjavat, se çdo mëngjes duhej të bënte gati lëngun e portokallit për të dy, edhe kafen, edhe fëmijët duhej ti bënte gati. Por, vetë e ka fajin sigurisht, të zgjohej që në 5.
Plus, ajo gruaja e tij bërtet aq shumë, kot, edhe për zërin e televizorit, njeriu ka nevojë për pak qetësi dreqi ta hajë. E bën tjetrin të dalë nga shtëpia.
Ndërsa ajo e dyta, ‘kurva’ , ajo shpreson që një ditë do jetë gruaja që do zgjohet në shtëpinë e tij, se asaj i është thënë që gruaja nuk ka më kohë për zotërinë. Po kjo, kjo do e gjejë patjetër kohën që të jetë në dispozicion të tij, vetëm ta ‘fusi’ në shtëpi ky.
Nëse shkojmë në kampin përballë, i dyti i një gruaje të martuar është djalë i zoti: “Eee, kom kap i gru t’martume. E di sa rehat jom.’ Nuk ka asnjë epitet për një ‘mashkull-kurvë’. Kushdo që shpiku gjuhën dhe fjalët nuk njohu ndonjë të tillë mesaduket.
Dhe ja ku jemi, në shekullin e 21-të. Gratë kanë të drejtën të votojnë, kanë të drejtën e abortit, kanë të drejtë të punojnë, po largqoftë mos ju vete në mendje të dalin nga shtëpia me kokë pakrehur, dhe të mërziten ndonjëherë kot, se ashtu ka plot të tjera gati për ti rrënuar e për të vënë në dukje ‘paaftësinë’ .
E pastaj ka nga ato që kanë zgjedhur të mos kenë asnjë ‘dikujt’(për momentin) në jetë. Ato janë më budallaçkat. Ato që kanë dëshirë të jenë të zonjat e vetes, përpara se të zgjedhin një partner, një bashkëudhëtar. Ato janë kaq të çuditshme.
E vërteta është që këtë planet e jetojmë së bashku, e vazhdimësinë e jetës e garantojmë po së bashku, por për një arsye që unë nuk e di, burrat janë akoma të favorizuarit në këtë univers. E problemi qëndron që në shumicën e rasteve janë vetë gratë që iu japin të drejtë duke fajësuar ‘llojin’ e tyre.
Në fakt një ndër arsyet pse burrat sundojnë botën, është se ata ju qëndrojnë në krah ‘llojit’ të vet. Ata e mbrojnë deri në momentin e fundit. Unë kam takuar një herë një djalë të lidhur me një grua të martuar dhe më tha: “ Më vjen shumë zor nga ai. Është shumë djalë i mirë, por e dua, s’kam ça ti bëj.” E nga ana tjetër vajzat në të njëjtin pozicion, thonë që ajo ka faj që nuk ka ditur ta mbajë (thua ti, njeriu u mbaka lidhur sikur të jetë pronë.)
Po, gratë edhe burrat vijnë nga dy planete të ndryshme, por në atë të grave lufta vazhdon ende.
E për sa kohë të vazhdojë lufta do na duhen lëvizje e organizata, do na duhen emisione e ndërgjegjsime derisa një ditë të mos festojmë sa herë një grua merr pushtet e poste të rëndësishme, sa herë një grua mund të mbajë dhe shtëpi e zyrë. Megjithëse, burra që i kanë mbajt të dyja pak ka njohur historia…
Derisa një ditë të njohim e të kuptojmë që e mira dhe e keqja, e drejta dhe e gabuara, suksesi e dështimi, nuk njohin gjini, por njohin Njeri!
10.11.2016
©AZ