
Gjeneratë frikacake
Kohët e fundit e kam gjetur shpesh veten duke iu thënë rrethit tim të afërt, që kam lindur në dekadën e gabuar. Nuk e kam me politikën, as me ekonominë, e aq më tepër me zhvillimin teknologjik. Nuk më bëjne përshtypje as ndërtesat e larta, as rrëmuja urbane e as trafiku kaotik. E kam me emocionet. Fjala që kam dëgjuar më së shumti në vitin e fundit është: “FRIKË”. Kushdo ka frikë, dhe frikën më të madhe e ka nga marrëdhëniet, e ka nga afërsia dhe e ka nga ndjesitë. Emocioni që ndihet më së shumti, është ai që të ndalon të ndjesh vargun e tjerë të emocioneve, sidomos të asaj të madhes, asaj ‘dashurisë’. Frikë të madhe se mos jep ‘më shumë seç duhet’, se mos flet ‘më shumë seç duhet’, se mos do ‘më shumë seç duhet’. Unë nuk di të them saktë nga buron gjithë kjo frikë. Ndoshta nga frika se mos na thyhet zemra?! Por, unë do thoja, bekuar qofshin gjithë zemrat e thyera atje jashtë, se na kanë sjellë këngë, e muzikë e piktura, na kanë sjellë artin më të bukur. Sepse, për shkak të një zemre të thyer njerëzit janë fokusuar në karrierë e punë, dhe kanë shpikur, dhe kanë punuar e kanë shtyrë botën përpara. Ama, nuk kanë vrapuar dhe nuk janë fshehur në cektësinë e sipërfaqes, sërish ja kanë hapur krahët emocioneve, e dashurisë, e ndjesive të tjera. Unë po jetoj në një gjeneratë frikacake, që është e gatshme të lyej shëmtuar sipërfaqen me buzëqeshje false, e marrëdhënie pajetë, vetëm e vetëm që të mos rrezikojnë të shfaqen e të tregojnë emocion, e të tregojnë që mund të duan, e në të njëjtën kohë mund të thyhen. Vërtet unë nuk kam jetuar më parë e nuk mund ti krahasoj, por mjafton të shikosh muzikën dhe fjalët e këngëve të ditëve të sotme për të kuptuar se me sa vrap i arratisemi emocionit e dashurisë ne. Se si vlerësohet dhe lartësohet ai ose ajo që ‘nuk dorëzohet’, që qëndron i/e ftohtë, dhe se si tallet dhe përflitet e përbuzet kushdo që flet e tregon se do e ndjen, se i ndryshon dita kur shikon ‘atë’, se nuk është më aq garip/e kur vjen puna tek ai/ajo. Këta të fundit, janë ata që kanë lindur në dekadën e gabuar, se në këtë të sotmen, nuk jemi trima, jemi frikacakë; nuk qëndrojmë, ikim; nuk themi që nuk duam, por ja hedhim duke mos kthyer përgjigje. Se përndryshe do të thotë të përballesh, dhe gjenerata ime dhe e jotja nuk e njohin përballjen, njohin arratisjen. Ne nuk luftojmë më për atë që duam, ne thjesht ndryshojmë atë që duam duke e përshtatur me atë që na del para syve. Ne jemi të gjithë të sjellshëm dhe me edukatë, dhe nuk bëhemi me nerva, se nervat jane emocion dhe do të thotë që ne ndjejmë, dhe larg qoftë të na e ndjejë edhe ne për ndonjë gjë. Poeti modern i kohëve të sotme, Getoari, ka thënë një gjë me mend për këtë gjeneratën e sotme, por nuk po e them, se jam e sjellshme… © AZ