
Dua një të dielë me ty!
Mëngjes i vonë. Unë çohem e para, vesh bluzën që ke lënë ti mbi shtrat që mbrëmë dhe drejtohem për në kuzhinë. Vë ujin për kafe e më pas nis të gatuaj mëngjes. Ndoshta petulla, ose pite, një mëngjes të diele ka nevojë për brum. Ndez televizorin, me zë të ulët dhe e le tek kukullat. Është e dielë, çfarë mund të shikoj tjetër.
Ndërkohë po përfundoj edhe petullat. Zgjodha petulla ,po. Bëhen më shpejt. E bëra gati tabakanë që do të të sjell tek krevati. Kam vënë çdo gjë që ti mund të duash të shoqërosh petullat. Po, patjetër që ka edhe lëngun e portokallit.
– Zemër?
– Ëëë…(ndërkohë kthehesh nga ana tjetër.)
Vendosa tabakanë mbi komodinë, e di nuk do të mund të të zgjoj vetëm me zë. Të puth avash, përkedhel, sikur po hap sytë. Oh, ata sytë e tu që qeshin sapo hapen. Hap krahët dhe unë zhytem mes tyre.
– Hajde, zgjohu tani, se të kam bërë mëngjesin gati.
– Vërtet?- Më shikon i habitur, sikur çkam bërë. E pastaj je ti që më tërheq Brenda krahëve të tu.
Ti shijon mëngjesin. Unë hap perden për të lënë dritën të hyjë.
– Po rënka shi?
– Po zemër, ka nisur që herët.
– S’qenka për të dalë sot.
– E mirë. Nuk dalim.
Ti më shikon dhe qesh. Ndërkohë mëngjesin e ke mbaruar. Të le vetëm gotën e lëngut të portokallit dhe heq tabakanë. Nisem për në kuzhinë.
– Ta bëj kafen? – thërras që të më dëgjosh?
– Po , të lutem. Ja, edhe unë po vij.
– Hajde se nisi Tomi me Jerryn.
– Hahaha , po shikon kukulla moj?
– Po është e dielë, ore, ça të ve? Fevziun?
Ti ndërkohë ke ardhur në kuzhinë. Je ulur përballë televizorit. Në një dorë ke telekomandën, tjetrën e ke hapur, si për të më treguar ku duhet të ulem unë. Të sjell kafen dhe ‘strukem’ në ‘vendin tim’.
Kthen sytë nga unë dhe qesh. Dhe nis të më tregosh diçka.
E pastaj do bëjmë drekën bashkë.
Pastaj do ketë dalë dielli, e ne do vishemi e do dalim. Do ikim në kinema. Ose do dalim me grupin.
E pastaj do kthehemi në shtëpi, e do shtrihemi.
Kështu do ketë mbaruar e diela e unë do iki.
Kaq më duhet mua.
Një e dielë me ty.
Një e dielë më mjafton për të ditur si është të kalosh jetën me ty.
©AZ